Avokatët që përfaqësonin viktimat e pedofilit të vdekur Jeffrey Epstein i thanë medias britanike The Independent se klientët e tyre janë të zemëruar dhe të mërzitur pasi panë Princin Andrew të kthehej në jetën publike pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II.
Princi britanik, i cili gjithashtu është akuzuar për abuzim, ishte një bashkëpunëtor i Epstein. Atij iu hoqën patronazhet mbretërore dhe titujt e nderit ushtarak në fillim të këtij viti pasi ai zgjidhi një padi civile me Virginia Giuffre, e cila e akuzoi atë për sulm seksual ndaj saj kur ishte ende e mitur në vitin 2001.
Andrew nuk u shfaq publikisht pas marrëveshjes, por princi i turpëruar është rikthyer në qendër të vëmendjes pas vdekjes së nënës së tij, teksa ecte në procesionin e funeralit të Mbretëreshës dhe duke qëndruar vigjilent pranë arkivolit të saj në Westminster Hall.
“Për viktimat që janë të përfshira, ta shohin atë në këto lloje paraqitjesh publike dhe duke u lavdëruar nga publiku, është zhgënjyese.” – tha për The Independent Spencer Kevin, një avokat me bazë në Florida, i cili përfaqësonte nëntë nga viktimat e Epstein.
“Ky është një njeri që ata e shohin si dikë që është mosrespektues ndaj viktimave, për shkak të miqësisë së tij me një pedofil. Dhe që ai të lavdërohet në publik, siç po bën, dhe të lavdërohet nga publiku, gjë që e kërkon, është fyese.”
Kevin sugjeroi që Andrew mund të jetë duke u përpjekur të ‘riparojë imazhin e tij në publik’ dhe tha se Duka i Jorkut duhet të ishte pikëlluar privatisht. Mariann Wang, një avokate me bazë në Nju Jork, e cila përfaqësonte dhjetëra viktima të Epstein, ra dakord, duke e quajtur paraqitjen e Andreë në publik ‘krejt të papërshtatshme’.
Epstein dhe Andrew ishin miq dhe princi britanik pranoi se ai kishte qëndruar në pronat e Epstein edhe pasi financieri amerikan ishte burgosur në vitin 2008. Epstein u arrestua përsëri në vitin 2019 dhe u akuzua për abuzim seksual me dhjetëra vajza të mitura, por u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Manhatan përpara se të mund të dilte në gjyq. Vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.