Vendosni fjalën kyçe....

“43% e shqiptarëve rrezikohen nga varfëria”/ Meta: Ndërkohë Rama u paguan 80 mijë euro çdo ditë pronarëve të inceneratorëve



Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me raportin e Agjencisë Europiane të Statistikave, sipas të cilit 43% e popullsisë në Shqipëri rrezikohet nga varfëria.

Duke iu referuar raportit, Meta thotë se rreth 67% e popullsisë në vend jeton me të ardhura deri në 5.5 dollarë në ditë.

Sipas tij, në kohën kur rreth gjysma e popullsisë jeton në këto kushte, kryeministri Edi Rama paguan çdo ditë 80 mijë euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë.

“Shqipëria, sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, kryeson në kontinent me 43% të popullsisë së saj të rrezikuar seriozisht nga varfëria dhe përjashtimi social. Situata është edhe më e rëndë nëse i referohemi faktit se aktualisht 67% e shqiptarëve jetojnë sot me të ardhura nën dhe deri në 5.5 dollarë në ditë. Laku i varfërisë shtrëngohet çdo ditë dhe më shumë nga rritja abuzive dhe e pandalshme e çmimeve, si dhe nga mungesa e paketave sociale efektive të ndihmës për çdo kategori në nevojë. Rilindja po i zhyt thellë dhe më thellë shqiptarët në pasiguri dhe varfëri, sepse qëllimi i saj është vetëm vjedhja papushim e taksave të tyre për veten, klientët dhe oligarkët e saj. Ndërkohë që sipas Eurostat, 43% e popullsisë rrezikohet nga varfëria, Edi Rama paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë, ‘kryeveprën’ e aferës së tij korruptive.

Shantazhet absurde të tij për fëmijët dhe prindërit, që të mos bëjnë shënime në librat e shkollës se do të kenë sanksione apo thirrjet për kursim të energjisë duke ‘shpikur’ shembuj nga Zvicra se si qytetaret futen në burg për ngrohjen me kondicioner tregojnë degradimin e pashpresë të regjimit më të korruptuar në kontinent që shton shpenzimet e luksit dhe aferat korruptive në këto kohë krizash.

Shporrja e kësaj bande të korruptuar dhe të inkriminuar është e vetmja rrugë për t’u ndarë pergjithmonë me korrupsionin galopant, varfërinë në rritje dhe përjashtimin social të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.”– shkruan Meta.