Vendosni fjalën kyçe....

Identifikohet viktima e atentatit në Shkodër, Erion Xhenja u qëllua me breshëri brenda një lokali


Është identifikuar personi që u qëllua me breshëri plumbash mbrëmjen e sotme në Shkodër.

Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Erion Xhenja, i cili u ekzekutua brenda një lokali në bulevardin ‘Bujar Bishanaku’.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhjetëra gëzhoja. Autorët dyshohet se kanë lëvizur me motoçikjletë.

Sipas policisë autorët e kanë djegur motoçikletën dhe armën e zjarrit pistoletë që dyshohet se është përdorur gjatë atentatit.

Viktima është i afërmi i Sehar e Shkëlzen Xhenjas, të cilët janë shpallur në kërkim pasi në shkurt 2021, bashkë me Eljon Haton akuzohen se kanë qëlluar ndaj një mjeti të drejtuar nga 30-vjeçari Taulant Pepaj.

Ngjarja ndodhi më 21 shkurt 2021 ku pranë një pike karburanti në lagjen ‘Skënderbeg’ ku tre personat e lartpërmendur kanë qëlluar me armë ndaj një mjeti ‘VW’ që drejtohej nga Pepaj e ku bashkëudhëtar ishte 46-vjeçari me iniciale K.M.

Njoftimi

“Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri Erion Xhenje 19 vjeç, banues në Shkodër. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë. Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.”