Vendosni fjalën kyçe....

Joe Biden mbërrin në Londër për funeralin e Mbretëreshës Elizabeth, kush tjetër është i ftuar


Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Londër përpara funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II që mbahet të hënën.

Biden është në mesin e rreth 500 krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja që shkojnë në Londër për një mbledhje të liderëve botërorë që nuk është parë për dekada.

Siç shkruan BBC, kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, kryeministri i Australisë Anthony Albanese dhe kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, janë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.

Liderë të tjerë të Commonwealth që pritet të marrin pjesë përfshijnë kryeministrin e Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidentin e Sri Lankës, Ranil Ëickremesinghe. India do të përfaqësohet nga Presidenti Droupadi Murmu.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri irlandez Micheal Martin (Taoiseach), presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti italian Sergio Mattarella janë ndër liderët e tjerë botërorë që pritet të marrin pjesë.

Por për shumë liderë, do të jetë shansi i tyre i vetëm për t’u takuar kolektivisht dhe për t’u angazhuar në njëfarë diplomacie.

Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa.

Por polemikat rrethojnë disa nga të ftuarit, si Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman. Ai akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi brenda Konsullatës Saudite në Stamboll në vitin 2018 – një akuzë që Princi i Kurorës dhe qeveria e tij e mohojnë.

E fejuara e gazetarit Khashoggi, Hatice Gengiz, tha se ai nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në ngjarje dhe se kjo ishte një njollë në kujtimin e Mbretëreshës.

Një tjetër ftesë që ka sjellë kritika është ajo për Presidentin e Kinës Xi Jinping, për shkak të akuzave për krime kundër njerëzimit të ngritura ndaj qeverisë kineze.

Por nuk do të jetë presidenti Xi ai që do të marrë pjesë në funeralin. Në vend të tij, zëvendëspresidenti Wang Qishan do të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar. Përfaqësues nga Rusia, Bjellorusia, Mianmari, Siria, Venezuela dhe Afganistani nuk janë ftuar.

Irani, Koreja e Veriut dhe Nikaragua janë ftuar vetëm të dërgojnë ambasadorë, në vend të krerëve të shteteve.