Vendosni fjalën kyçe....

Kërkoi azil në Shqipëri por iu refuzua, deportohet drejt Turqisë gazetari Ahmet Emre Olur


Ekstradohet drejt atdheut të tij gazetari turk Ahmet Emre Olur, i cili kishte kërkuar azil në Shqipëri.

Olur u deportua nga autoritetet shqiptare me pretendimin se i ka kaluar afatin 2-vjeçar për të qëndruar në vendin tonë.

Gazetari kërkoi azil politik pasi sipas tij, dëbimi nga Shqipëria mund t’i rrezikojë seriozisht jetën dhe njëkohësisht mund të diskriminohet për shkak të bindjeve të tij politike, por kërkesa e tij nuk u pranua.

Ahmet Emre Olur është shpallur në kërkim në vendin e tij, pasi ka bërë disa kronika kundër qeverisë.

Avokatët e gazetarit thonë se i kanë bërë disa kërkesa për azil vendit tonë, të cilat nuk janë marrë parasysh, me arsyetimin se “zyra e emigracionit është mbyllur”.

Avokatët Arben Llangozi dhe Orgesa Serani i kanë dërguar një letër Ministrisë së Brendshme ku shprehin shqetësimin e familjarëve të gazetarit për rrezikun që i vjen atij.

SHKRESA

Nga kontaktet që kemi pasur me familjarët na kanë thënë se nuk është i vërtet fakti se ky shtetas ka qëndruar në Shqipëri jashtë afateve ligjore. Sipas kontakteve që kemi pasur na është thënë se shtetasit Ahmet Emre Olur me numër pasaporte U14867557 me origjinë shtetas Turk i rrezikohet jeta nëse do të dëbohej nga vendi ynë drejt vendit të origjinës dhe ky fakt do të ndodh në bazë të bindjeve politike të tij. Dhe njëkohësisht ka shfaqur vullnetin që të kërkoj azil politik në shtetin Shqiptar.

Bazuar në ligjin me  Nr. 10/2021 “Për  Azilin në  Republikën e  Shqipërisë”, në nënin 2 të tij përcaktohet qartë se  ky ligj zbatohet për të gjithë shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të cilët kanë deklaruar qëllimin për të paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në territorin e Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa atyre u lejohet të qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë si kërkues për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe për anëtarët e familjes së tyre.

Njëkohësisht bazuar në Neni 5  të ligjit me  Nr. 10/2021 “Për  Azilin në  Republikën e  Shqipërisë” , e drejta për azil Republika e Shqipërisë garanton të drejtën për azil të shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi, i cili ndodhet jashtë vendit të shtetësisë së vet ose jashtë vendbanimit të zakonshëm të mëparshëm dhe nuk ka mundësi ose dëshirë të kërkojë mbrojtjen e atij vendi për shkak të frikës së bazuar për të qenë i persekutuar për arsye të racës, të besimit fetar, të kombësisë, të anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose të bindjes politike.

Për sa më sipër kërkojmë nga ana Ministrisë së Brendshme,  Komisariatit të policisë  Rinas, Drejtorisë së Policisë Tiranë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të zbatohet në mënyrë objektive ligjin me  Nr. 10/2021 ‘Për  Azilin në  Republikën e  Shqipërisë’.