Mediet në Kosovë kanë zbuluar detajet e marrëveshjes së dytë 10-vjeçare për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që propozojnë Macron e Szholz.
Nëse kjo marrëveshje miratohet, Serbia duket të dalë pala më e fituar pasi do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si “fuqia e rajonit”.
Marrëveshja e cila pritet të zyrtarizohet në vitin 2023, është marrëveshja e dytë mes dy vendeve pas asaj të vitit 2013.
Në një artikull, Albanian Post zbulon detajet e propozimit të përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.
Sipas kësaj marrëveshje të propozuar, Kosova fiton njohjen nga 5 shtete të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur, ndërsa Serbia do të marrë “ndihma masive” financiare.
DETAJET E MARRËVESHJES
Serbia e pranon realitetin e Kosovës si shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Dhe vetëm në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë.
Në pikën e katërt të dokumentit prej 4 faqesh, saktësohet se “Tani për tani, në vend të njohjes, Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si një realitet i veçantë politik dhe legal”.
Këtë pikë, në fakt e ka pranuar publikisht edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë konferencës në Beograd, kur deklaroi: “ata insistojnë që atje (pra në Kosovë) ekziston një realitet të cilin ne duhet ta pranojmë si të tillë”.
Sipas portalit, Kosova “merr njohjen e pesë shteteve të BE-së, duke zhbllokuar perspektivën për anëtarësim në NATO dhe BE”, kurse “Serbia merr një ndihmë financiare masive dhe një asistencë ekonomike si dhe do të njihet si forca që udhëheqë ekonomikisht dhe politikisht rajonin”.
Meqë Kosova nuk ka as liberalizim vizash aktualisht dhe është praktikisht e izoluar, pasojat e mos nënshkrimit kanë të bëjnë më shumë me qeverinë sesa me vetë shtetin. Dokumenti e vendos theksin te izolimi i plotë i qeverisë së Kurtit, si një formë presioni që do të ndikonte në jetëgjatësinë e qeverisë.
Ndërsa, nëse Beogradi nuk e pranon, atëherë pason “Izolim ekonomik dhe financiar” dhe gjithashtu theksohet se “Pesë shtetet jo njohëse do ta braktisin eventualisht Serbinë dhe do t’u bashkohen shteteve të tjera që e kanë njohur Kosovën. Pavarësisht rezultatit, BE-ja do të flas me një zë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë më 4 shtator se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
Për këtë arsye, kishin ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Ata u angazhuan që procesi të lëvizë përpara më shpejt, pasi sipas tyre Kosova dhe Serbia nuk duken se do të mund ta zgjidhin problemin vetë.
Kliko këtu për artikullin e plotë të Albanian Post