Vendosni fjalën kyçe....

Të hënën funerali i mbretëreshës Elizabeth, do transmetohet live në kinema, lokale, kështjella


Të hënën mbahet funerali i Mbretëreshës Elizabeth II, e cila do të bëhet monarkja e parë që nga George II në 1760 që do të ketë funeralin e saj në Westminster Abbey.

Mijëra njerëz pritet të udhëtojnë në Londër, për të thënë lamtumirën e fundit, por jashtë kryeqytetit, qindra mijëra të tjerë pritet të mblidhen për të parë funeralin e Mbretëreshës në katedrale, parqe dhe vende të tjera publike në të gjithë Mbretëria e bashkuar.

Ekrane të mëdha do të ngrihen në qytete për të transmetuar live funeralin e mbretëreshës. Në 20 kështjella gjithashtu do të ketë organizime për të pritur njerëzit të ndjekin ngjarjen, në ekrane të mëdha.

Në Birmingham, ceremonia do të shfaqet në një ekran të madh në Sheshin Centenary. Ian Ward, udhëheqësi i këshillit të qytetit të Birminghamit, tha: “Shumë njerëz do të duan të shkojnë në Londër për të parë këtë moment, por arritja në kryeqytet nuk do të jetë as e lehtë dhe as e lirë, kështu që sheshi do të jetë një vend lokal, lehtësisht i arritshëm, me hapësirë ​​ku njerëzit mund të reflektojnë.”

Siç shkruan “The Guardian”, disa zinxhirë kinemash gjithashtu do të transmetojnë funeralin live, por nuk do të ketë kokoshka. Megjithatë, mysafirëve do t’u ofrohet ujë në shishe falas gjatë transmetimit.

Shumica e lokaleve gjithashtu pritet të jenë të hapura dhe të shfaqin shërbimin.

Kush është i ftuar dhe kush nuk është i ftuar?

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar tani ka konfirmuar se liderët kinezë do të ftohen të marrin pjesë.

Ambasadori i Kinës në Mbretërinë e Bashkuar është ndaluar nga Parlamenti për shkak të sanksioneve kineze ndaj pesë deputetëve dhe dy kolegëve. Ky ndalim do të qëndrojë në fuqi, por nuk do të shtrihet tek zyrtarët e tjerë. Kështu Presidenti i Kinës Xi Jinping është në listën e të ftuarve për ceremoninë mortore, por nuk mendohet se do të marrë pjesë.

Siç shkruan BBC, të gjitha vendet me të cilat Mbretëria e Bashkuar ka marrëdhënie diplomatike duhet të ftohen në funeralet shtetërore. Princi i Kurorës i Arabisë Saudite dhe sundimtari de fakto, Mohammed Bin Salman është në mesin e atyre liderëve të ftuar në funeral – duke shkaktuar një protestë të madhe nga grupet e të drejtave të njeriut.

Siria, Venezuela, Afganistani, Mianmari, Rusia dhe Bjellorusia nuk janë ftuar – ndërsa Iranit, Koresë së Veriut dhe Nikaraguas i është kërkuar të dërgojnë vetëm një diplomat të lartë. Rusia siç e kemi mësuar më parë, është e ndaluar për shkak të luftës me Ukrainën.