Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të jenë të vetmit delegatë amerikanë që do të marrin pjesë të hënën në shërbimin zyrtar të funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II në Londër.
Megjithatë personalitete të tjera të SHBA-së, duke përfshirë dhe ish-presidentët, janë ftuar të marrin pjesë në një shërbim përkujtimor për Mbretëreshën në Uashington.
Të pesë ish-presidentët e gjallë të SHBA-ve, Donald Trump, Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton dhe Jimmy Carter janë ftuar në “Shërbimin e Falënderimeve për Jetën e Madhërisë së saj të Nderuar Mbretëreshës Elizabeth II”, të bashkë-organizuar nga Ambasada Britanike në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit javën e ardhshme.
“Katedralja është e nderuar të presë një Shërbim Falënderimi për Jetën e Madhërisë së saj të ndjerë Mbretëreshës Elizabeth II të mërkurën, më 21 shtator, në partneritet me Ambasadën Britanike.”- tha Katedralja Kombëtare në një deklaratë sipas Fox News.
Eventi do të transmetohet live në internet.
E ndjera Mbretëresha Elizabeth II është takuar me 13 nga 14 presidentët e fundit amerikanë. Ajo u takua me Bidenin në Kështjellën Ëindsor vitin e kaluar. Ajo piu çaj me Trump dhe gjithashtu ndoqi një paradë ushtarake gjatë vizitës së tij në vitin 2018. Ajo gjithashtu u takua disa herë me Barack dhe Michelle Obama.
George W. Bush dhe zonjën e parë Laura Bush i takoi në Shtëpinë e Bardhë në 2007, si dhe gjatë një vizite të tyre në Mbretërinë e Bashkuar në 2003.
Bill Clinton dhe Hillary Clinton i takoi në vitin 2000 dhe përsëri në 1995 dhe po ashtu mbretëresha ka darkuar me Presidentin Jimmy Carter në 1977 në Pallatin Mbretëror.
Nuk dihet ende nëse ish-presidentët e ftuar do të marrin pjesë të gjithë.