Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj takon anëtarin e Komitetit të Inteligjencës së Senatit Amerikan: Donte të dinte mbi sulmin kibernetik të Iranit


Gjatë vizitës së tij në Washington, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u takua me Senatorin e Teksasit, John Cornyn.

Ai është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit.

Veliaj ka publikuar disa foto me Cornyn dhe shkruan: “Shumë i lumtur për takimin miqësor me Senatorin e Teksasit, John Cornyn, nga Komiteti i Inteligjencës së Senatit në Uashington. Një mik i Shqipërisë dhe vizitor i saj, ai kishte shumë dëshirë të mësonte për sulmet e fundit kibernetike të Iranit ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe rolin e Tiranës si Kryeqyteti Rinor Europian.”

 Veliaj u prit në një takim edhe nga kongresmenia demokrate, Elissa Slotkin.

“Takova brilanten Elissa Slotkin, e cila më bën kaq krenar si një ish-banor i Miçiganit që një kalibër i tillë i lartë përfaqëson shtetin tonë. Ajo ka punuar shumë me kryeministrin Edi Rama dhe Ambasadën Amerikane për të vendosur refugjatët afganë nëpërmjet Shqipërisë në një nga operacionet më të suksesshme të shpëtimit deri më sot!”– shkruan ai.

Këto ditë Veliaj ka takuar një sërë zyrtarësh të lartë amerikanë gjatë vizitës së tij në Washington, mes të cilëve edhe kryetaren e Kongresit, Nensi Pelosi.