Vendosni fjalën kyçe....

“Albin Kurtit do t’i bëhej atentat nga një snajperist” – Çfarë thuhet në email-et e Gledis Nanos të publikuara nga hackerat


Emailet e hakeruara nga “Homeland Justice” të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano të publikuara në “Telegram”, kanë zbuluar detaje nga një plan për ekzekutimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas njërit prej e-maileve të publikuara, në vitin 2021 Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të ekzekutuar kryeministrin Kurti dhe dy persona të tjerë, nga një shtetas nga Shqipëria. Ai përshkruhet si një person me precedent të mëparshëm penal, me “aftësi të mira” në snajper.

Personat e tjerë në listë janë: Ismet Haxha, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Snajperisti i dyshuar Prek Kodra, thuhet se operonte në tre qytete: Tropojë, Ferizaj dhe Deçan.

Vrasjet, do të ndodhnin një muaj njëra larg tjetrës në afat kohor, duke shkaktuar edhe destabilizimin e Kosovës.

Në “Telegram” hackerat kanë publikuar të gjitha të dhënat personale të Gledis Nanos, duke përfshirë ato të mjeteve të identifikimit, lejen e drejtimit të automjetit, çertifikatën familjare, hyrje-daljet nga shteti, numrat e celularit të tij dhe familjarëve, si dhe të dhëna rreth sigurimeve shoqërore.

 “Kreu i terroristëve të Durrësit shpalli luftën e armatosur më 13 shtator 2022. Lëshimi i kësaj deklarate është koordinuar patjetër nga ju zyrtarë të korruptuar. Nëse kujdeseni për jetën e njerëzve tuaj, pse e çoni vendin në luftë dhe kaos? Një sy për një sy dhe një dhëmb për një dhëmb.”-shkruajnë hakerat bashkangjitur materialeve.