Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Pagesat e inceneratorëve vazhdojnë sikur nuk ka ministra në pranga e pronarë në kërkim, s’ka forcë në vend t’i bëjë gjë


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë sot në një deklaratë për mediet lidhur me aferën e Inceneratorëve. Ai ngre pyetjen se si është e mundur që vazhdojnë pagesat për inceneratorët, në një kohë kur ka persona të arrestuar, kur ka pronarë e menaxherë të kompanive të shpallur në kërkim.

Berisha nuk i kurseu akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se kjo ndodh për shkak të tij.

 “Ndërmarrjes kriminale të Edi Ramës, Ëngjëll Agaçit, Arben Ahmetajt, Lefter Kokës, Erion Veliajt, nuk ka ligj, nuk ka institucion, nuk ka forcë në këtë vend që mund t’i bëjë gjë. Kështu, muaj më parë, SKAPI i Partisë, në njoftimin zyrtar për këtë aferë gjigande që tejkalon 420 milionë euro njofton se bëhet fjalë për korrupsion, procedura prokurimesh antiligjore, falsifikime dokumentesh, larje parash, tjetërsime pronash, pra, një kompleks veprash penale nga më seriozet, megjithëkëtë, kjo ndërmarrje kriminale, kjo aferë kriminale është e vetmja në Shqipëri, në Europë dhe në botë, mbi të cilën kanë rënduar akuza të tilla dhe vazhdon, janë shpallur në kërkim menaxherë dhe pronarë të saj, ajo vazhdon njëlloj sikundër asgjë s’ka ndodhur, sikundër asnjë mandat arresti apo shpallje në kërkim nuk është lëshuar, sikundër askush nuk është burgosur në këtë aferë.

Ftoj çdo shqiptar të shtrojë pyetjen, si mundet pas të gjitha këtyre akuzave, pas shpalljes në kërkim të pseudopronarëve të pseudokompanive të djegësve, qeveria e Edi Ramës dhe Ministria e Financave të disbursojë gjer sot rreth 100 milionë euro, të vazhdojë të disbursojë plotësisht të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Fierit, mbi 6 milionë euro. Të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Tiranës, mbi 6 milionë euro. Të ndërtojë linjën e tensionit të lartë për djegësin e Tiranës, mbi një shumë prej rreth 6 milionë euro.

Si mund të ndodhin këto?! Këto ndodhin. Kjo aferë kriminale vazhdon jetën e saj për faktin e vetëm sepse kjo është aferë e Edi Ramës. Është Edi Rama të dashur qytetarë, që në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, opinionin ligjor zyrtar të Entit të Prokurorimeve, që thotë negociata e mbyllur është e ndaluar të përdoret. Ka firmosur kontratën me negociata të mbyllura. Është Edi Rama ai që ka pranuar që të gjitha prokurimet, për djegësat nga Elbasani, Tiranë, Fier të bëhen vetëm nga një kompani, kompania e tyre.”- tha Berisha.

Ky reagim i Berishës vjen pas lajmeve se pagesat për inceneratorin e Fierit kanë vijuar, pavarësisht se objekti është vënë nën sekuestro nga SPAK. (Lexo këtu).

Të dhënat zyrtare nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave, na tregojnë se, për inceneratorin e Fierit pagesat vjetore të parashikuara nga buxheti ishin në vlerën e 376,4 milionë lekë, të cilat janë alokuar tërësisht që në fund të muajit gusht. Ndërkohë që të gjitha fondet ndaj inceneratorit janë shlyer që në muajt e parë të vitit, për investimet e tjera kapitale janë realizuar deri në fund të 8 mujorit jo më shumë 40 për qind e fondeve të programuara dhe aktualisht janë rreth 130 milionë euro detyrime të prapambetura në llogarinë e qeverisë.