Në një takim me banorët e Pukës dhe Fushë Arrëzit, kryetari i PD-së Sali Berisha e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është racist me veriun.
Kjo duke zgjedhur kandidatë të akuzuar për vrasje e përdhunime, me argumentin sepse “ata marrin votat”, se kështu janë mësuar veriorët.
Ai u shpreh se Rama po i gënjen qytetarët dhe se po i detyron ata që të largohen nga vendi. Berisha tregoi dhe mesazhin e një qytetari i cili i thoshte se s’mund të merrte pjesë në një takim me të për shkak të frikës se e raportonte patronazhisti.
“Në fakt në thelb kjo që ndodh me ne, që ne largohemi dhe bota çuditet me këtë largimin tonë masiv, në thelb ka qëndrimin ndaj votës së lirë. Se ky nuk len shqiptarët të votojnë të lirë. Të ju pyes, a erdhi ky të bëjë fushatë në Pukë në zgjedhjet e 21-shit. Jo nuk e mori mundimin fare, sepse çoi para për të blerë vota, banda dhe asgjë tjetër. Vetë pse të vinte, pse ti respektonte.
Çfarë koncepti ka ky për veriun, do të ju them unë ju.
Një mik imi, i cili ka muhabet me të, i thotë; po mirë, si ka mundësi që ti merr, filanin, që është i akuzuar për vrasje, filanin që është i akuzuar për përdhunim, e këto e këto me radhë. Përgjigja është raciste, ata ashtu janë mësuar, për veriun. Ata ashtu janë mësuar, ashtu qeverisen. Një trillim racist fund e krye. E dyta, ata më sjellin vota mua, nuk më sjell ti vota. Ky është qëndrimi i tij.
Duke rrëmbyer votën me patronazhistët. Para se të vija këtu, një i njohur nga Puka më bën një mesazh dhe më thotë; të kërkoj shumë ndjesë se nuk vij dot për shkak të patronazhistit, se më padit. Aty e kam në telefon.
Pra, ai ka vendosur një sistem i cili ka qenë në diktaturë. Ka futur në dorë të gjitha pushtetet. Gjithçka zhvillohet sot, është një ftesë për ne, për çdo atdhetarë, demokrat, për çdo qytetar t’i japim duart sa më shpejt këtij pushteti.”– tha Berisha.