Vendosni fjalën kyçe....

KLP-ja hap procedurat për kreun e ri të SPAK-ut, kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kushtesh


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur nisur procedurat për paraqitjen e kandidaturave për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në një njoftim për mediat, KLP thotë se të gjithë prokurorët e interesuar për të kandiduar, duhet të paraqesin një platformë kandidimi.

Kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kushtet të përcaktuara nga KLP-ja:

-Eksperiencën në ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar;

Eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture;

Eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative;

Eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike, dhe ndërveprim me median;

Aftësitë në drejtimin efektiv të burimeve njerëzore;

Vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv;

Imazhin publik të karrierës së tij/saj si prokuror;

Sipas njoftimit të KLP-së, kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin dhe platformën deri më datë 2 nëntor 2022, ora 24:00.

Kujtojmë se kreut aktual të SPAK, Arben Krajës i përfundon mandati 3-vjeçar në 19 dhjetor. Në këtë datë merr detyrën edhe drejtuesi i ri ndërsa Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite.

Drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat. KLP po zhvillon sot mbledhjen e parë për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme ku ka komunikuar një afat prej 45 ditësh për kandidatët e interesuar për të paraqitur platformat e tyre.