Vendosni fjalën kyçe....

Rusia akuzon SHBA-në për “çmenduri mediatike”


Moska thotë se është e gatshme të negociojë fatin e të burgosurve amerikanë në Rusi, por ka akuzuar SHBA-në për një “çmenduri mediatike“, pasi Presidenti Joe Biden u takua personalisht me familjet e dy të burgosurve amerikanë javën e kaluar.

Biden u takua të premten me të afërmit e basketbollistes profesioniste Brittney Griner dhe ish-marinsit Paul Whelan në Shtëpinë e Bardhë.

“Në vend që të përmbushë detyrat e saj të drejtpërdrejta zyrtare, të mbajë kontakte me diplomatët e vendit pritës, Ambasada e SHBA-ve në Moskë është e përfshirë në një lloj çmendurie mediatike.”- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Ajo tregoi videot dhe “fotografitë qesharake” të postuara nga ambasada amerikane në Moskë, si dhe takimin e Biden.

“Të afërmit nuk ishin në gjendje të merrnin një shpjegim të qartë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara në lidhje me kërkesat e Rusisë për një shkëmbim të të burgosurve.”- tha Zakharova sipas CNN. Ajo shtoi se detajet e takimit i mësoi përmes një raporti të CNN-it.

 “Ne kemi deklaruar shumë herë se jemi gati për negociata për të zgjidhur fatin e shtetasve të dënuar amerikanë në Rusi dhe shtetasve rusë të dënuar në Shtetet e Bashkuara.

Nëse Ambasada e SHBA-së në Moskë ka një minutë kohë të lirë, ata do t’i tregojnë Presidentit Biden për këtë, dhe ai, nga ana tjetër, do t’u tregojë të afërmve të Whelan dhe Grinerit.”– tha Zakharova.

Pas dënimit të Grinerit në gusht, SHBA dhe Rusia thanë se ishin gati të zhvillonin bisedime për një shkëmbim të të burgosurve.  Griner u arrestua në shkurt, e akuzuar se mbante shishe të vogla me vaj kanabisi në bagazhin e saj. Dy herë fituesja e medaljes së artë olimpike të basketbollit të SHBA-së u deklarua fajtore për akuzat për drogë dhe tha se ajo e paketoi aksidentalisht drogën pasi ishte me nxitim. Ajo është dënuar me nëntë vjet, së bashku me një gjobë prej rreth 16 mijë e 400 dollarësh. Ekipi i saj ligjor në Rusi ka apeluar dënimin.

Whelan nga ana tjetër ka qenë i burgosur në Rusi për më shumë se tre vjet, pasi u dënua për spiunazh që ai i mohon. Ai u dënua në qershor 2020 me 16 vjet burg në një gjyq që zyrtarët amerikanë e denoncuan si të padrejtë.