Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se nuk ka shanse që Beogradi të pranojë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, Serbia do të ketë probleme edhe nëse e pranon ose refuzon që Kosova të anëtarësohet në OKB.
“Nëse ne pranojmë, nuk do të jeni në gjendje që të na largoni ndonjëherë nga OKB-ja. Nëse nuk pranojmë, ne do të izolohemi. Gjithçka ka pasojat e veta”, tha Vuçiç më 19 shtator, përcjell REL.
Presidenti i Serbisë tha se gjatë vizitës në Beograd të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, atij iu ofrua një dokument, por ai refuzoi që ta pranonte.
“Të them se gjithçka e publikuar (në portalin AlbanianPost) është e saktë, nuk mundem. Nuk më kujtohet gjithçka që ishte shkruar në ato katër faqe. E kam ditur se nuk duhej ta pranoja atë dokument”, tha Vuçiç, duke thënë se pala serbe nuk e ka nxjerrë në publik këtë dokument.
Gjatë fundjavës u publikua një dokument që thuhej se ishte “korniza e re” e propozuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.