Vendosni fjalën kyçe....

Banorët ankohen për zhurmë, të rinjtë në Tiranë sherr me policët


Një grup të rinjsh raportohet se kanë goditur dy policë mbrëmjen e kaluar në rrugën ‘Myslym Shyri’ në Tiranë.

Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim zyrtar lidhur me përplasjen që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar mes disa të rinjve dhe punonjësve të policisë.

Sipas uniformave blu, efektivët ndërhynë për shkak të ankesave të banorëve për zhurmë, por të rinjtë në vend të binden i kanë kundërshtuar me dhunë.

Efektivët kanë kërkuar ndihmë nga patrullat e tjera dhe të rinjtë e përfshirë në konflikt përsëri kanë kundërshtuar policët.

Pas ngjarjes janë arrestuar 6 persona të identifikuar si shtetasit me inicialet: S. S., 20 vjeç, M. Sh., 19 vjeç, E. Ç., 19 vjeç, A. D., 19 vjeç, M. B., 20 vjeç dhe M. K., 28 vjeç. Ndërsa është vënë nën hetim 17-vjeçari i identifikuar si K. P. 

Njoftimi i policisë

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen disa punonjës policie që shoqërojnë me forcë disa shtetas, ju sqarojmë se:

Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në një ambient në rrugën “Naim Frashëri”, disa persona shqetësonin banorët, me zhurma. Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë konstatuar disa shtetas, të cilët nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë dhe kanë filluar t’i kundërshtojnë ata me dhunë.

Dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorej ndaj tyre, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve për shkak të situatës së krijuar.

Edhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të tjera të Policisë, për të neutralizuar dhunën mbi dy punonjësit e Policisë, këta shtetas i kanë kundërshtuar përsëri me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të tyre në Komisariat.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë shtetasit S. S., 20 vjeç, M. Sh., 19 vjeç, E. Ç., 19 vjeç, A. D., 19 vjeç, M. B., 20 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, si dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. P., 17 vjeç.

Përsa i përket veprimeve të punonjësve të Policisë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin për të analizuar veprimet e punonjësve të Policisë, nëse janë respektuar procedurat standarde të punës apo nëse ka tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e punonjësve të Policisë për të neutralizuar veprimet kundërshtuese me dhunë verbale dhe fizike të shtetasve tashmë të arrestuar, ndaj punonjësve të Policisë.

Në përfundim të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, do të ketë një njoftim të posaçëm për shtyp.