Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan: Turqia nuk do pranojë të ashtuquajturat referendume ruse në zonat e pushtuara në Ukrainë


Zyrtarët e mbështetur nga Rusia në disa pjesë të Ukrainës kanë njoftuar planet për të mbajtur referendume për bashkimin me Rusinë. Ukraina i ka cilësuar si përpjekje të rreme për të legjitimuar pushtimin e Rusisë.

Presidenti Erdogan ka reaguar për këto lajme dhe është shprehur se Turqia nuk do t’i njohë ato. “Të ashtuquajturat “referendume” që Rusia do të mbajë në Ukrainën lindore nuk do të pranohen kurrë nga Turqia”, ka thënë presidenti turk.

Ndërkohë, më herët sot presidenti Erdogan është shprehur se lideri rus po kërkon t’i japë fund luftës që filloi në Ukrainë. Ai ka zhvilluar një takim ditët e fundit me presidentin rus, dhe tha se gjatë bisedës kuptoi se ai dëshironte që t’i jepte fund sa më shpejt.

“Ai në fakt po më tregon se është i gatshëm t’i japë fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ishte përshtypja ime, sepse mënyra se si po shkojnë gjërat tani është mjaft problematike”, u shpreh gjatë ditës së sotme presidenti Rexhep Tajip Erdogan.