Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata rrëzon akuzat për terrorizëm kundër ish-kryeministrit pakistanez Khan


Një gjykatë pakistaneze rrëzoi të hënën akuzat për terrorizëm kundër ish-kryeministrit Imran Khan për ‘kërcënim’ të një gjyqtari dhe zyrtarësh të policisë.

Një trup gjykues prej dy anëtarësh i Gjykatës së Lartë të Islamabadit, i kryesuar nga Kryegjykatësi Athar Minallah, urdhëroi policinë të heqë akuzat për terrorizëm kundër Khan.

Në fjalimin e tij gjatë një mitingu më 20 gusht, Khan tha se do ndërmarrë veprime ligjore kundër shefit të policisë së kryeqytetit Islamabad dhe një zyrtari gjyqësor që urdhëroi ndalimin fizik dyditor të shefit të tij të shtabit, Shehbaz Gill.

Gill po përballet me akuza për rebelim për vërejtjet që dyshohet se synonin të nxisnin rebelim brenda ushtrisë së fuqishme të Pakistanit. Megjithatë, javën e kaluar e njëjta gjykatë e liroi Gillin me kusht.

Më vonë, qeveria ngriti një çështje kundër Khan sipas ligjit të terrorizmit, i cili u kundërshtua nga partia e Khan në Gjykatën e Lartë të Islamabadit.

Khan tashmë është liruar me kusht në rastin në fjalë nga gjykata kundër terrorizmit në kryeqytetin Islamabad.

Që nga rrëzimi i tij nga pushteti në votën e mosbesimit të parlamentit në prill, Khan ka organizuar një sërë tubimesh antiqeveritare dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, të cilat normalisht do zhvillohen në fund të vitit 2023.