Një debat i ashpër ka ndodhur sot mes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali dhe deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Në mbledhjen e komisionit po diskutohej në lidhje me sulmet kibernetike në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Noka kërkoi shpjegime nga ministrja Spiropali nëse ka përgjegjësi për të dhënat që janë hakeruar. Ai kërkoi informacione mbi tenderat mbi mbrojtjen e sigurisë kibernetike dhe kompanitë që i kanë fituar këto tendera. Por Spiropali nuk i dha përgjigje pyetjes së tij duke thënë se për pyetje të tilla mund të bëj kërkesë me shkrim në institucionet përkatëse pasi ajo s’mund të “përgojojë kompanitë e biznesmenët”. Deputeti demokrat e ndërpreu duke i kërkuar të përgjigjet.
Ai e ironizoi atë se në emër të “Skënderbeut” duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, urdhëron kryetarin e mbledhjes të ndërhyjë në diskutimin e tyre.
Në fund kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço u detyrua të mbyllë mbledhjen pas kërkesës së Spiropalit.
Pjesë nga debati:
Noka: Më kthe një përgjigje. Nuk ka nevojë të nxisësh ti
Spiropali: O kryetar
Noka: 195 milionë euro të taksave shqiptare janë rrëmbyer
Naço: Noka ministrja thotë bëj kërkesën si deputet për informacion.
Spiropali: Të jeni të sigurt ju dhe të gjithë deputetët që çdo cent të taksave të shqiptarëve ka shkuar aty ku duhet. Shqipëria vlerësohet si vend lider në rajon për shërbimet ndaj qytetarëve. Ju keni të drejtën të dërgoni kërkesën zyrtare për të marrë informacion kush janë kompanitë, por që të përgojoni ju këtu njerëz pa asnjë lidhje kjo është krejt e pavend.
Noka: Zonjë jam duke të bërë pyetje…
Spiropali: Tani në momentin që ne jemi dhe në kohën që ne jemi, në luftë të vërtetë kibernetike me një vend armik keni kohë të merreni me muhabetet e vjetra të mejhanes shqiptare. Kërkoj ndërhyrjen e kryetarit të Komisionit kush flet, kush përgjigjet se që ju s’keni lidhje me interesin kombëtar, kjo dihet.
Noka: Zoti kryetar po ju urdhërojnë. Ne emër të Skënderbeut. Po urdhëron kryetarin.
Resuli: Me fyerje dhe ofendime prekemi të gjithë këtu.
Spiropali: O zot, mezi paskeni pritur.
Noka: Lutju për Skënderbeun Zotit mos iu lut për të tjerat. Informacionin e kanë iranianët, nuk ka më çfarë ruhet në këtë vend.
…Debatet vijuan për disa minuta.
Naço: Herën tjetër të jeni të bindur se kur ka seancë pyetjesh do i bëni me shkrim nga shtëpia. Faleminderit, seanca mbyllet për sot.