Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji për dekoratat, Ervin Salianji: Po ia merrni këtë kompetencë Presidentit, edhe ato doni t’i politizoni për vota


Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë po diskutohet në lidhje me projektligjin që vendos dekoratat në duart e qeverisë duke ia marrë këtë kompetencë Presidentit të Republikës.

Për këtë projektligj, deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ngriti disa pyetje, duke akuzuar maxhorancën se po politizon edhe dhënien e dekoratave duke e vendosur atë në duart e një partie politike.

“Mendoni ju apo ekspertët që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji që duke i dhënë të drejtën kryeministrit për të dhënë dekorata e politizoni edhe këtë akt. Duke marrë rastin e fundit që ai sot merr edhe politizon edhe medaljet e sportistëve që dalin kampionë.

Pse duhet t’i merrni Presidentit të Republikës një akt në emër të Republikës. Edhe dekoratat doni të politizoni?! Edhe me dekorata doni të merrni vota? I jepni të drejtë edhe ministrave të Brendshëm dhe të Mbrojtjes për të dhënë dekorata.

Në dokumentin që keni sjellë përcaktoni edhe numrin e dekoratave. Si e përcaktoni ju kush janë njerëzit që spikasin apo kanë merita të veçanta? Si përcaktohet, si e keni vendosur numrin për këtë çështje? A keni ju konsultuar edhe me juristë apo presidentin e republikës për t’u shprehur për këtë çështje?

A është cenim i kompetencave që sot e ka Presidenti i Republikës? A keni pasur ju kontakt, pse sot nuk kemi përfaqësues nga presidenti i republikës kur cenohet në mënyrë të drejtpërdrejt një nga kompetencat e tij?”- u shpreh Salianji.