Në mbledhjen me deputetët e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli dhe për aksionin për sekuestrimin e kateve shtesë pa leje.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se shqiptarët po dënohen për një kotec pulash apo se ndërtojnë një avlli, ndërkohë që kur vjen puna te kullat e pallatet, ato amnistohen me urdhër të Ramës.
“Këto kanë ndodhur siç e dinë të gjithë shqiptarët rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të quajtur të tillë për pallatet dhe shtesat pa leje, është akt i pashembullt, ku me ligj qeverie merren në mënyrë flagrante funksionet e parlamentit. Me vendim qeverie pushohen çështjet gjyqësore, e bllokohet sistemi i drejtësisë. Me vendim qeverie autorë të këtyre ndërtimeve pa leje dënohen.
Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, apo një shtesë dhomë apo kat, janë dënuar me burg 3 400 qytetarë shqiptarë. Kur vjen problemi te kullat e qeverisë, pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ata ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është provokacion i ultë për çdo shqiptar. Është dhunim i parlamentit, i cili me kushtetutë është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë.”– tha Berisha.