Vendosni fjalën kyçe....

INTERVISTA E PLOTË/ Biznesmeni Luftar Hysa: S’kam asnjë lidhje me kartelet në Meksikë, sulmi nga konkurrenca. Bizneset të gjitha të verifikuara


Biznesmeni Luftar Hysa në një intervistë për emisionin ‘Opinion’ mbrëmjen e djeshme dha shpjegimin e tij mbi akuzat e bëra ndaj tij nga një media meksikane, sipas së cilës ai është aleat i një karteli të fuqishëm në Meksikë.

Ai deklaroi se shkrimi në gazetë është bërë nga konkurrentët duke pohuar se nuk është hera e parë që ndaj tij e bizneseve të tija ka sulme të tilla mediatike.

Gjatë intervistës, Hysa tha se ka biznese në Meksikë, Belize e Kanada dhe se nuk ka kryer asnjë aktivitet të paligjshëm gjatë gjithë karrierës së tij.

Lidhur me shkrimin e gazetës meksikane ‘El Universal’ që e akuzon për lidhje me kartelin e Sinaloas, Hysa tha se një sulm i ngjashëm anonim, me të njëjtat pretendime si i gazetës, është bërë edhe kohë më parë. Ai publikoi një dokument të autoriteteve meksikane të cilat pas hetimit nuk kanë gjetur asnjë shkelje në bizneset e tij.

Po kështu ai i quajti të pavërteta akuzat e pretendimet e gazetarëve shqiptarë lidhur me personin apo veprimtaritë e tij duke pohuar se nuk kanë asnjë fakt dhe se janë të gjitha false.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në disa raste, ai mohoi kategorikisht të kishte lidhje me ndonjë kartel apo veprimtari të paligjshme në biznesin e tij. Po kështu Hysa hodhi poshtë se e njihte apo ishte takuar me shefin e kartelit meksikan të Sinaloas, Ismael ‘El Mayo’ Zambada.

Hysa theksoi se në të gjitha vendet ku operon, u është nënshtruar verifikimeve mbi biznesin, personin e tij, të ardhurat dhe në asnjë rast nuk është gjetur asnjë shkelje.

Në fillimet e intervistës, biznesmeni Luftar Hysa foli mbi rrugëtimin e tij nga Shqipëria, drejt Afrikës së Jugut, ku nisi fillimisht biznesin e lojërave të fatit, e më pas drejt Perusë, prej nga ku në vitin 2004 shkoi në Meksikë, ku ushtron aktivitetin  sot e kësaj dite.

Ai pohoi se partneri i tij i vetëm në biznes është i vëllai, ndërsa përsëriti se as ai, as vëllezërit e tij e as bizneset e tij nuk kanë asgjë të paligjshme, ndaj tyre nuk ka asnjë gjykim apo akuzë në asnjë prej vendeve ku ai operon.

Në një pjesë të intervistës, Hysa sqaron edhe takimin e tij me kryeministrin Edi Rama duke rrëfyer historinë e mikut të tij skocez dhe interesit të tij për të bërë një libër për Shqipërinë. Takim i mundësuar nga një mik i tij, deputet gjerman.

Në fund Hysa tha se do vijojë të bëjë biznes kudo në botë ku i krijohet mundësia duke respektuar hapësirat ligjore që ofron vendi përkatës. Më poshtë është intervista e plotë e biznesmenit Luftar Hysa dhënë për gazetarin Blendi Fevziu në ‘Opinion’ mbrëmjen e djeshme.

Intervista e plotë

Fevziu: Mirëmbrëma

Hysa: Mirëmbrëma.

Fevziu: Jeni përfolur ditët e fundit për një takim në kryeministri ndërkohë që një prej gazetave meksikane, një gazetë jo e vogël meksikane ju ka akuzuar si një pjestar, po ju quaj i një karteli, i një prej karteleve më famëkeqe që ka bota, i Sinaloas. Ç’doni ju në Meksikë, një shqiptar në Meksikë. Cila është jeta juaj.

Hysa: Jeta ime ka një trajektore të gjatë dhe meqë më pyetët se ç’dua unë në Meksikë, ti dhe unë jemi nga ai brez që ne kemi filluar lëvizjen demokratike dhe në lëvizjen tonë demokratike kur kemi filluar, një nga ëndrrat tona të mëdha ka qenë që ne të ishim njerëz të lirë dhe të një bote të lirë që të lëviznim ku të donim.

Fevziu: Në cilin vit jeni larguar nga Shqipëria.

Hysa: Unë jetën time e kam filluar në vitin 1990 kur kam mbaruar inxhinierinë. Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1998 dhe për fatin e mirë timin…

Fevziu: Po nga viti viti 1990 deri në 1998?

Hysa: Kam punuar inxhinier mekanik në TEC Cërrik dhe pastaj kam qenë drejtor i Drejtorisë së Ujrave.

Fevziu: Pra keni qenë inxhinier në TEC-in e Cërrikut dhe drejtor i Drejtorisë së Ujërave.

Hysa: Dhe pastaj kam bërë gjithashtu edhe jetë politike. Pasi kam qenë kryetar i PD-së së Belshit që me themelimin e saj kur kam qenë 23 vjeç. Në vitin 1991, kur është themeluar seksioni i PD-së në Belsh unë jam zgjedhur kryetari i PD-së së Belshit.

Fevziu: Ndërkohë që ishit diplomuar për inxhinieri. Si u larguat nga Shqipëria?

Hysa: Nga Shqipëria unë jam larguar në vitin 1998, me ngjarjet e vitit 1997. Unë jetoja në Cërrik dhe një nga problemet madhore që ka ndodhur në vitin 1997 ka qenë edhe masakra e famshme e Cërrikut. Unë kam pasur, vetëm familja ime e di që unë kam patur probleme, atp që s’dua t’i kthehem dhe s’dua t’i prek dhe jam larguar drejt Afrikës së Jugut ku jetonin vëllezërit e mi.

Fevziu: Po vëllezërit prej çfarë kohe jetonin në Afrikën e Jugut?

Hysa: Vëllai im, që edhe ai është i përfolur këtu jetonte që në vitin 1993 në Afrikën e Jugut. Më të famshmen që njerëzit iknin në atë kohë sepse këto kërkonin dikë se do t’i jepte një të ardhme dhe këta ikën sepse ishte ajo e famshmja dhe ti e di shumë mirë, ishte Leka Zogu atje dhe këta do gjenin Leka Zogun dhe do t’i ndihmonte. Dhe unë kam pas fatin e mirë që të takoj ty në vitin 1999 në Afrikë të Jugut. Ju s’e mbani mend po unë e mbaj mend. Jemi takuar sepse ju bëtë emisionin për Leka Zogun dhe njëkohësisht na takuat edhe ne si një grup shqiptarësh. Ishim shumë pak, ishim 28 veta gjithsesj në atë kohë në Afrikë të Jugut.

Fevziu: Në vitin 1998 u vendosët në Afrikën e Jugut. Deri në çfarë viti keni jetuar në Afrikën e Jugut?

Hysa: Kam jetuar në Afrikën e Jugut deri në vitin 2001. Kam jetuar 2 vjet e 11 muaj ditë më ditë dhe në këtë kohë që jam jetuar në Afrikën e Jugut, kam jetuar vetëm, pa familjen time, pa gruan e fëmijët e mi. Për 2 vjet e 11 muaj nuk kam takuar as gruan time, as fëmijët e mi. Ka qenë një periudhë e vështirë, e gjatë. Ka qenë periudha që ne nuk dinim se ku drejtoheshim apo ku shkonim.

Fevziu: Nga Afrika e Jugut ku u transferuar?

Hysa: Nga Afrika e Jugut, ne kishim një biznes modest, se nuk do kthehem te bizneset edhenë kohën mbrapa. Nga Afrika e Jugut bashkë me dy partnerët e mi kam ikur në Peru. Kemi ikur atje me një synim sepse donim të hapnim lojërat e fatit. Kur kemi parë në të gjitha ato vendet…

Fevziu: Kishit biznes lojërash fati në Afrikën e Jugut?

Hysa: Kishim biznes të lojërave të fatit në Afrikën e Jugut.

Fevziu: Partnerët tuaj çfarë kombësie kishin?

Hysa: Kishin kombësi të Afrikës së Jugut me origjinë nga Qipro.

Fevziu: Me origjinë qipriote dhe ishin shtetas të Afrikës së Jugut.

Hysa: Që të mos zgjatemi me këtë. Kur pamë vetëm në Peru në atë kohë lejoheshin lojrat e fatit. Në vendet ku pamë ne, Perunë e gjetëm si vendin ku lejoheshin lojërat e fatit. Dhe vendosëm, shkuam atje dhe filluam biznesin nga viti 2001 dhe unë kam qëndruar nga viti 2001 deri në vitin 2004 në Peru.

Fevziu: Në çfarë zone të Perusë?

Hysa: Kam jetuar në Lima, por kam shkuar dhe kam vizituar gjithë Perunë sepse është një vend shumë i bukur. Ka historinë, gjeografinë. Kam pas fatin e madh në jetë që në pesë shtetet apo vendet, kanë të gjitha mikroklimat brenda, unë kam jetuar në katër nga ato.

Fevziu: Nga viti 2001 dëri në vitin 2004 jetuat në Peru. Po nga viti 2004?

Hysa: në këtë periudhë që ishim në Peru dhe biznesi ishte jo shumë i fortë sepse Peruja ka një ekonomi jo shumë të fortë. Në këtë kohë një person që ishte nga Australia, vjend dhe ishte miku ynë, që na shiste makinat e lojëravë të fatit na thotë që tregu po hapet në Meksikë. Dhe ne në atë kohë shkuam e u përqendruam në Meksikë dhe filluam të operonim më Meksikë. Unë kam shkuar në mars të vitit 2004 në Meksikë.

Fevziu: Pra nga Shqipëria jeni larguar në Afrikë të Jugut, në Peru dhe pastaj u vendosët në Meksikë. Këto 18 vjet operoni në Meksikë?

Hysa: Unë prej 18 vjetësh operoj në Meksikë dhe jam qytetar meksikan nga viti 2016.

Fevziu: Qytetar meksikan. Edhe familja juaj jeton në Meksikë?

Hysa: Jo, familja ime jeton në Kanada.

Fevziu: Jeni dhe shtetas kanadez?

Hysa: Unë jam rezident kanadez, sepse nuk mund të mbaj më shumë se dy pasaporta.

Fevziu: Ke pasaportën shqiptare dhe meksikane. Në çfarë zone të Meksikës jeni vendosur?

Hysa: Unë jetoj në Kankun në këtë moment. Bizneset e mia në Meksikë janë gjithandej dhe unë i kam pas në zona të ndryshme.

Fevziu: Jeni bashkë me partnerët apo jeni vetëm?

Hysa: Partneri im vetëm është vëllai im.

Fevziu: Sa biznese keni në Meksikë?

Hysa: Janë disa. Mbi 10 biznese. Bizneset tona janë lojërat e fatit, restorantet, baret.

Fevziu: Pra jeni pronar kazinosh, restorantesh, baresh në zonën e Kankunit apo në gjithë Meksikën.

Hysa: Në të gjithë Meksikën. Sepse ne faktikisht biznesin e kemi fillu. Vendi i parë që e kemi fillu ka qenë Saltillo Coahuila dhe pastaj nga aty jemi shtrirë. Dua të tregoj këtë moment këtu se është shumë interesant. Meksiko përfaqëson 40% të të ardhurave të Las Vegasit dhe duke qenë se përfaqëson 40% të të ardhurave të Las Vegasit ka pas që ligji i lojërave të fatit ka qenë i vitit 1947. Dhe për një periudhë të gjatë në Meksikë s’ka pas lojëra fati. Dhe kur u hap, u hap me dekret presidenti dhe në vitin 2005 u dhanë licenca, po licencat u dhanë me grupe. Dhe ata që morën grupet e licencave ne filluam të operonim bashkë me ata. Dhe kur filluar, se këtu do dalë e gjithë tema e kësaj bisede…

Fevziu: Pse duhet të operonin me ju këta njerëz?

Hysa: Meksika nuk kishte në atë kohë asnjë operator për 50 vite, njerëzit që operojnë nëpër botë që kishin eksperiencë filluan të operojnë në Meksikë. Edhe licenat që u dhanë u bënë sipas ligjeve që funksionojnë po ishte një proces hap pas hapi. Ishte me dekrete që ishin hap pas hapi. Dhe nga kjo doli që kur filluam këto biznese, ngaqë ishin bizneset e para, ato qenë shumë fitimprurëse dhe shumë lukrative.

Fevziu: Që do të thotë ju u pasuruat…

Hysa: Fjala pasurim është term i kafeneve dhe nuk dua ta përdor këtë fjalë. Por ishte një biznes fitimprurës që lejon që ti të riinvestosh, të bësh biznes akoma më shumë.

Fevziu: Dhe ju keni investuar vetëm në Meksikë apo edhe në zona të tjera?

Hysa: Kemi invesuar edhe në zona të tjera. Kemi biznese gjithashtu në Belize, kemi kazino. Është i vetmi shtet që flet anglisht sepse ka qenë koloni angleze. Atje kemi edhe një hotel me 50 dhoma që e kemi dhënë me qira një kompanie që po ndërton Portin e Belize City.

Fevziu: Gazeta ‘El Universal’ ka shkruajtur që ju jeni një aleat i kartelit të Sinaloas, një prej karteleve më famëkeqe që ka bota dhe një prej krerëve të tij, Ismail ‘El Mayo’-s që njihet gjithashtu si një nga personat më të rrezikshëm të Meksikës në ditët e sotme. Pse  një gazetë do ju vendoste ju, një biznesmen në qindra biznesmenë që ka Meksika?

Hysa: Pikërisht, kjo është pyetja. Do ta shpjegoj më shumë qetësi. Historia e Meksikës është e bukur, e komplikuar dhe është histori e suksesit në fund fare për mua. Nuk është hera e parë që sulmohem po nuk nisem nga sulmet apo fjalët e gazetave. E dini pse nuk nisem. Po të shikoj ato gazeta. Nuk është gazeta po konkurrentët e mi që më sulmojnë. Sepse nuk është hera e parë siç e thashë. Por duke lëxuar gazetën dhe duke më parë mua këtu ka një diskordancë që nuk shkon. Një prerje e një njeriu që nëse këto janë të vërteta, unë duhet të kisha urdhër Interpoli, të isha akuzuar etj. Unë me fjalët e kasabasë nuk merrem. Do ta shpjegoj këtë gjë. Këtu të gjithë merren me këtë temë. Asnjeri nuk merret me temat e ditës dhe gjërat e tyre po merren se gjetën Luftarin. Gjetën diversantin. Kjo është tamam si puna e asaj në kohë të Enverit. I tha ai: Do mbillet pambuk. Agronomi i tha: Nuk mbillet pambuk këtu. E morën ata e kryqëzuan atë kryeagronomin. E vendosën ke ajo qendra e fshatit atje. Në radhë të parë ishte ulur një njeri dhe të gjithë flisnin. Dhe ky thoshte: Po si se paskemi njohur. Edhe ai i shkreti i duroi të gjithë po atë nuk e duronte dot dhe i tha: Çfarë do më njihje ti mua. Unë s’kam njoh veten. Dhe unë kur i shikoj të gjitha këto them, ore e njoh unë veten time tani apo jo?! A e kupton se çfarë do të thotë që unë, një njeri nga Belshi, të iki të merrem me kartelin e Sinaloas.

Fevziu: A e keni njohur Ismael ‘El Mayo’-n?

Hysa: Absolutisht jo nuk e njoh dhe as e kam takuar ndonjëherë.  E dimë, e gjitha Meksika e di kush është ‘El Mayo’. Po të kem takuar unë El Mayo-n, të merrem unë me kartelet…unë e vetmja gjë që bëj në jetë është vetëm një. Bëj biznese të ligjshme, bëj gjëra siç i lejon ligji, dhe te vetmen pasuri që unë kam janë karizma ime dhe inteligjenca ime.

Fevziu: Një shqiptari që ka parë gjithë historinë e Meksikës, t’i thuash që një shqiptar ka arritur të futet në Meksikë, të merret me lojërat e fatit që janë biznese që gjithnjë kanë shumë probleme mes të ligjshmes e të paligjshmes, natyrisht që do jeni i paragjykuar drejtpërdrejt prandaj po ua bëj pyetjen. A jeni ju i sigurt që nuk ka para të karteleve të drogës të investuara në binzeset tuaja? Që nuk ka kartele të drogës të cilat mund të jenë pranë bizneseve tuaja. Se këtu bëhet fjalë për diçka që në fakt duket absurde. Paratë e Sinaloas të të pastrohen në Shqipëri duket pa sens se Sinaloa e ka buxhetin sa gjithë Ballkani bashkë. Paratë e krimit të Sinalos. A janë ata prezent në bizneset tuaja.

Hysa: Absolutisht jo. Të kuptosh, të merresh nga Shqipëria se cfarë bëhet në Meksikë, që një kartel do fusë lekë te një biznes që kur e shikon është një pikë uji në mes të oqeanit. Sepse ky sulm ka filluar ndoshta nga kjo studio. Sepse këtu një gazetar para tre viteve aludoi rreth meje. Dhe këtu gazetari tha se unë kisha fut dy kartelet e mëdha të Meksikës në luftë me njëra-tjetrën. Gazetari e aludoi në këtë studio. Tha që karteli i Sinalos ka hyrë në luftë me kartelin e Juarez sepse i ka fut ky shqiptari. Dhe ti e pyete kush është ky shqiptari? Ai tha janë nga zona e Dumresë, nuk e tha emrin tim. Mbrëmë pastaj u sqarua kjo punë.

Fevziu: Ishte gazetari Hoxha që më bëri një pyetje, ai ma kujtoi.

Hysa: Edhe unë doja të kujtoja se isha në Toronto dhe doja të merrja në telefon. Doja të thoja që si lejoni që nuk keni gjëra tjera të merreni po merreni me jetën e private të njerëzve.

Fevziu: Gazetari ka të drejtën e tij të bëjë investigimin.

Hysa: Gazetari ka të drejtë të bëjë investigimin po të japë fakte e jo gjëra false. Mesa di unë, se mbase gjërat kanë ndryshuar. Imunitet kanë vetëm parlamentarët. Nuk e di që edhe gazetarët kanë imunitet që të thonë çfarë të duan. Të drejtën e shprehjes po.

Fevziu: Po pse flet për gazetarin në Shqipëri ku ja ku e ke atje?

Hysa: Kjo është e gjitha një gjë false. Është komplet false. S’ka asnjë bazë.

Fevziu: Pyetja ime prapë është, pse do ju gjente Meksika ju, një pikë uji në oqean për t’ju bërë aleat të kartelit të Sinaloas që është në qendër të vëmendjes së DEA-s, SHBA-sëm agjencive të zbatimit të ligjit të botës.

Hysa: Do e shpjegoj, në vitin 2010 u gjet një shqiptar me emrin Luftar Hysa dhe ai shqiptari me këtë emër që ishte nga Mamurrasi ishte i kërkuar nga Interpoli dhe ky zotëria, u mor, u lidh me emrin tim në Meksikë dhe çfarë u bë, u shkruajt një artikull ku u tha që mafia shqiptare ka ardhur të bëjë kazino në Meksikë. Kishte dhe fotografinë  e tij. Kishte edhe rrjetin medemek, me harta siç bëhen hartat nga këtu në Itali, nga atje droga përhapej e gjitha këto. Gazeta në atë kohë shkruajti një artikull, ne e kundërshtuam, që mori kohën e vet.Kush e bëri? E bënë kundërshtarët, kundërshtarët janë të gjithë njerëzit që janë konkurrenca. Janë të huaj dhe shqiptarë. Nuk e di, sepse ne me këtë punë po merremi. Ne ndodhemi për herë të parë para një gjëje të tillë. Po ka një gjë tjetër më të bukur. Kjo nuk është e sotmja siç ta thashë. Para 2 viteve, apo një viti e gjysmë na bënë një denoncim anonim në Meksikë, me të njëjtat gjëra që janë edhe te shkrimi i gazetës. Në botë të paktën, denoncimet anonime nuk shkojnë para sepse duhet të ketë një emër. Denoncimi thotë atë që shkruan gazeta pak a shumë. Denoncimet u morën u panë dhe këtu ke rezolucion që thotë këtu nuk ka asnjë lloj shkelje, asnjë lloj procesi penal dhe këto do ua lë juve si dhuratë. Unë s’kam çfarë të flas për atë kur ky dokument është këtu.

Fevziu: Ndërkohë emri juaj është përfolur edhe në në Panama Papers. Madje Hoxha e përmendi dje për lidhje me ministrin e Financave të Panamasë. A keni pasur biznes në Panama.

Hysa: Për herë të parë në Panama kam shkuar në vitin 2020 dhe ka qenë dhe ka qenë data 27-28 shkurt. Kemi shkuar për të parë mundësinë që të hynim në treg. Në Panama përpara kësaj date nuk kam qenë asnjëherë. Dhe unë nuk kam pasur asnjë llogari bankare, asnjë lidhje me Panamanë. S’kam pasur asnjëjherë biznese dhe asnjëherë asgjë. Absolutisht, zero. Të gjitha këto që merren, ka qenë një kompani tjetër që u lidh me kompaninë tonë. Ajo kompani është mbyllur që në vitin 2006, as nuk ka funksionu, po njerëzit lexojnë në Google. Unë nuk mund t’i përgjigjem fjalëve të kasabasë. Nuk u përgjigjem dot njerëzve që nuk e dinë se çfarë është Meksika, ndoshta nuk kanë shkuar asnjëherë atje por marrin hapin Google dhe aty gjën lloj-lloj informacioni. Një gazetar investigativ nuk mund të marrë ato faqet e Google dhe të ndërtojë një aktakuzë.

Fevziu: Keni ndonjë biznes në Shqipëri?

Hysa: Unë jam i lidhur me Marina Casino në Vlorë. Kompania ime ka 1% dhe ne jemi operatorët e asaj kazinoje.

Fevziu: Vetëm kaq është biznesi juaj në Shqipëri? Ndërkohë është publikuar një foto duke dalë nga zyrat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me një deputet gjerman. Për çfarë e keni takuar Edi Ramën?

Hysa: Histori shumë e bukur. E kam dashur ta takoj Edi Ramën për një gjë shumë të bukur që më pëlqen ta ndaj me ty këtu. Unë kam një mikun tim të madh që është nga Skocia dhe jeton në Londër. Dhe miku im e ka emrin Max Miligham. Unë kam jetuar me atë në Peru për 3 vjet. Vëllai i Max-it ka qenë drejtor i Sky Neës në Angli. Max është fotograf dhe bën libra. Ka bërë libra për Perunë, për inkasit, për Skocinë, për Ganën, për Bregun e Fildishtë, për Stonehenge, Islandën, Rumaninë dhe ky njeri donte dhe gjithnjë, gjithë jetën ka qenë i interesuar të bënte një libër për Shqipërinë dhe të promovonte. I kam në telefonin tim të gjitha edhe mesazhet dhe bisedat me Max-in. Duke kërkuar, duke parë që Rama është edhe artist, edhe i pëlqen kjo lloj fushe thashë, e vetmja gjë që mund të bëj është t’i prezantoj këtë projekt nëse mund ta mbështesë.

Fevziu: Si e gjetët ju Ramën?

Hysa: Ramën e gjeta nëpërmjet një mikut tim gjerman që e kam takuar rastësish, një mik i mirë i Shqipërisë, që e ka ndihmuar jashtëzakonisht Shqipërinë dhe jam krenar që e kam mik. E kam takuar rastësisht në Shqipëri. Dhe në bisedën time të parë kam parë që ai njeri ishte më të vërtetë një dashamirës i madh dhe kam biseduar me të që të ndihmonte Shqipërinë në hapjen e negociatave.

Fevziu: Pra ju një shqiptar, për të takuar kryeministrin e Shqipërisë përdorët një deputet gjerman.

Hysa: Ndodhi që në atë kohë kishte Covid, jam ndodh në Shqipëri, sepse nuk vij shpesh këtu dhe asokohe ai kishte ardhur për punët e veta dhe tha hajt të prezantoj kryeministrin. Kaq.

Fevziu: Keni plan biznesesh në Shqipëri?

Hysa: Në këto momente nuk kam ndonjë plan. Por nëse hapësirat ligjore do e lejonin, unë më fal që po e the, nuk shes byreqe, megjithëse më pëlqejnë shumë dhe është ndër ushqimet e mia favorite. Unë jam njeri i biznesit që bredh nëpër botë, ku gjej hapësira unë iki. Gjej hapësira ligjore.

Fevziu: E dini që jeni në një biznes shumë delikat dhe shumë të vështirë që është gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe gjithmonë me dritëhije.

Hysa: Nuk e shikoj ashtu. Kur thashë nuk shes byreqe e thashë me këtë kuptim. Nëse do shisja byrek do shihja vetëm për atë dyqanin tim që të blija miell e vaj. Kurse unë jam në lojërat e fatit. Nëse tregjet, kudo ku hapen ato, shkoj dhe prezantoj veten time dhe kompaninë time. Nëse ligji ma lejon.

Fevziu: Aktualisht jeni në Meksikë dhe Belize.

Hysa: Jam në Meksikë, Belize. Kam një kompani gjithashtu që e kam hapur në Gjermani dhe do shikojmë si do ecim.

Fevziu: Po në Kanada, jeni rezident atje. Pse nuk e hapni biznesin.

Hysa: Kam një restorant në Kanada që e ka emrin ‘Mirela’s’ dhe është ndër restorantet më të mira të Montrealit, biles është me 4.7 rating.

Fevziu: Dhe ky është biznesi i vetëm që keni në Kanada.

Hysa: Po.

Fevziu: Keni pasur ndonjëherë probleme me drejtësinë në vendet që keni jetuar. Afrikën e Jugut, Peru Meksikë apo Kanada?

Hysa: Do e them me shumë kënaqësi. Kjo është pyetje jo e duhura por do përgjigjem. Ne kudo që shkojmë të bëjmë biznes. Kur kam shkuar që kam bërë biznes në Belize, që të marrësh një licencë do kalosh ‘due diligence’ dhe ajo kalon në të gjitha kanalet, nga Interpoli, siç ka kaluar edhe në Shqipëri, pastrimi i parave e të gjitha. Instituciuonet ligjore nga të cilat dalin kartat e anëtarësimit të vendeve penale dhe unë nuk kam qenë as i gjykuar, as i akuzuar, asgjë në këtë jetë. Me gjërat e tjera unë nuk merrem. Me fjalët etj. Nuk jemi gjykuar apo akuzuar as unë, as vëllzeërit e mi, as punëtorët e mi.

Fevziu: Një shqiptar që bën biznes në një nga vendet më të vështira të globit si Meksika. Me kaq prezencë kartelesh, është e vështirë të operosh. Shpeshherë thuhet që për të bërë biznes duhet të bësh kompromise?

Hysa: Është pak e komplikuar si pyetje dhe përgjigjia ime nuk do e arrinte dot atë. Ne e perceptojmë Meksikën pak ndryshe, sepse po të pyes unë ty për Meksikën, direkt do thuash karteli, ose droga.

Fevziu: Unë e kam vizituar Meksikën disa herë, si turist dhe është vend shumë i bukur.

Hysa: Meqë ra fjalë për dy muaj do hapim një restorant në Tulum. Je edhe i ftuar biles, je i ftuari im special. Meksika në gjithë kontekstin e vet ka edhe ligjet. Funksionon me ligje si shtet. Meksika ka një gjë që unë e them gjithnjë në vendet e botës, sistemi ligjor është shumë i pavarur. Çfarëdo që thuhet…

Fevziu: Është vend më korrupsion në nivelet më të larta, është vend me interferencë të krimit…

Hysa: Po thëm që nëse ke të drejtë, të drejtën e gjen.

Fevziu: Keni ndërmend të ktheheni prapë në Shqipëri?

Hysa: Jo, atë e kam mbyllur njëherë e përgjithmonë.

/Hashtag.al

*due diligence:

1. hapat e arsyeshëm të ndërmarra nga një person për të shmangur kryerjen e një krimi ose shkeljeje.

2. një vlerësim gjithëpërfshirës i një biznesi të ndërmarrë nga një blerës i mundshëm, veçanërisht për të përcaktuar asetet dhe detyrimet e tij dhe për të vlerësuar potencialin e tij tregtar.