Sipas metodologjisë së Eurostat, inflacioni në muajin gusht ka shënuar rritje me 7,7%, teksa matjet kombëtare nga INSTAT tregojnë për një rritje 8% në të njëjtin muaj.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 14,4% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,9%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 4,7% secili, “Veshje dhe këpucë” me 2,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,4 %, “Shëndeti” me 1,3 %, “Shërbimi arsimor” me 1,2 % dhe “Komunikimi” me 0,8%.
Në muajin gusht 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,7%.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 4,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, me 0,4% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3%, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2%.
Në muajin gusht inflacioni mesatar në Eurozonë ishte 10.1 %. Niveli më i lartë i inflacionit ishte në Estoni dhe Letoni me 25 dhe 21 për qind secila. Në krahun Zvicra rezultoi vendi më ritmet më të ulëta të rritjes së inflacionit me rreth 3 për qind, Islanda me 5% dhe Franca me 6.8%.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, iNSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e iHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të iHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e iHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e iÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit iHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e iÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. iÇK-ja përmban 332 zëra; iHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); iHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al