Vendosni fjalën kyçe....

Petrit Vasili flet me shifra: Korrupsioni dhe qeverisja në nivele vërtetë katastrofike


Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili, ka dalë në një deklaratë për mediet ku ka bërë një renditje të statistikave në lidhje me pakënaqësitë e qytetarëve me qeverinë.

Gjatë fjalës së tij, Vasili u shpreh se qeveria e Rilindjes ka vetëm 3 arritje, korrupsionin, paligjshmërinë dhe babëzinë.

“Të nderuar qytetare dhe qytetarë, korrupsioni dhe qeverisja janë në nivele vërtetë katastrofike dhe ato praktikisht kanë krijuar një mosbesim të jashtëzakonshëm te qytetarët, një shqetësim të tyre në rritje dhe një pasigurie në gjendje vërtet katastrofike.

Jemi praktikisht në kushtet e një qeverisje të rëndë sepse korrupsioni që e ka kapur për fyti në të gjitha fushat e saj, ua ka bërë jetën të pamundur qytetarëve. Por le t’u referohemi fakteve konkrete.”- tha Vasili.

Më pas ai nisi të lexojë rezultatet e sondazhit të IDM-së, sipas të cilit 83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur.

DEKLARATA E VASILIT

Sondazhi i publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, me temën “Besimi në Qeverisje” për vitin 2021 tregon fakte shumë të rënda që flasin vetë:

Po citoj disa shifra që flasin vetë dhe janë shumë të rënda.

📌 83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që

📌 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë me një përhapje të madhe.

📌 71.6% nuk ndihen të sigurtë në jetën e përditshme për shkak të kriminalitetit, probleme të shëndetit, padrejtësinë, papunësia dhe fatkeqësia natyrore.

📌 68.4% e qytetarëve nuk kishin besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë

📌 59.3% nuk kishin besim në ndjekjen efektive penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të ulët.

📌 Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsiderojnë qeverinë qendrore 57.4% dhe bashkitë 58.2% si jo transparente.

📌 72.2%) raportuan se nuk kanë mjaftueshëm mundësi për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së institucioneve publike,

📌 41% e të anketuarve dëshirojnë të largohen nga vendi.

📌 Kënaqësia për punën e policisë është vetëm 37.4%

📌 Kënaqësia me trasportin publik është vetëm 32.6%

📌 Kënaqësia me shërbimet gjyqësore vetëm 27.2%

Këto fakte vulosin totalisht falimentimin e qeverisjes së Edi Ramës në çdo drejtim.