Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ministrja Ogerta Manastirliu ka njoftuar vendimet e fundit për përfituesit e Paketës së dytë të Rezistencës Sociale.
Në një dalje për mediet, Manastirliu tha se nga 1 tetori nga rritja e ndihmës do të përfitojnë familjet në nevojë ekonomike që trajtohen me asistencë sociale, gratë kryefamiljare me dy fëmijë, pensionistët pa pension dhe personat me nevoja të veçanta.
“Nga data 1 Tetor rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet, të cilat janë përfituese nga programi i asistencës sociale.
Gjithashtu dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. Nga ana tjetër kemi vendosur të dyfishojmë gjithashtu pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit të cilët janë pa pension pleqërie apo pa pension social. Janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga rritja e ndihmës ekonomike. Është një mbështetje e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Një tjetër vendim i rëndësishëm sot është marrë nga qeveria në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike, për kompesimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat të cilët kanë status të aftësisë së kufizuar paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompesimin për energjinë elektrike. Kjo masë mbështetjeje për personat me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjikë që e kanë këtë masë mbështetjeje nga statusi dhe gjithashtu për personat e verbër të kategorisë së parë kjo masë mbështetjeje shkon nga 2,000 lekë të reja që është aktualisht, në 3,000 lekë të reja. Ndërsa përsa i përket personave të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1,400 lekë të reja që është sot, shkon në 2,400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë më shumë se 12 mijë persona, të cilët përfitojnë nga statusi.”- tha Manastirliu.