Vendosni fjalën kyçe....

Princi i kurorës Saudite liron 10 të burgosur në Ukrainë


Një avion me 10 të burgosur lufte mbërriti të mërkurën në Riad, pas përpjekjeve të suksesshme të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman për t’i liruar.

Princi i Kurorës saudit thuhet se kishte qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Kremlinin dhe Ukrainën si pjesë e përpjekjeve të ndërmjetësimit për lirimin e të burgosurve të kapur nga Rusia, pesë prej të cilëve ishin shtetas britanikë, një maroken, një suedez, një kroat dhe dy amerikanë.

Siç shkruan Alarabiya News, të burgosurit ishin kapur si “rob lufte” në rajonet separatiste në Ukrainë. Agjencia Saudite e Shtypit (SPA) raportoi se të burgosurit tani do të transferohen në vendet e tyre të origjinës.

Dy amerikanët e liruar ishin një veteran i ushtrisë amerikane, Alexander Drueke, 39 vjeç, si dhe veterani 27-vjeçar i Marinës, Andy Huynh. Ata u kapën në qershor ndërsa luftonin përkrah forcave ukrainase pranë Kharkivit.

“Nuk e kam ëndërruar kurrë se kishte një mundësi që qeveria saudite do të ishte në gjendje të bënte diçka të tillë.”- tha halla e Drueke për The Washington Post.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken përshëndeti shkëmbimin e të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë dhe konfirmoi se dy shtetasit amerikanë u kapën ndërsa shërbenin në ushtrinë e Ukrainës. Blinken falënderoi Ukrainën për përfshirjen e të gjithë të burgosurve të luftës, pavarësisht nga kombësia, në negociatat e saj. Po ashtu falenderime të veçanta bëri edhe për ndërmjetësuesit sauditë.

“Falënderojmë gjithashtu partnerët tanë sauditë për ndihmën që dhanë për të udhëhequr këtë nismë humanitare dhe për të lehtësuar kthimin e dhjetë shtetasve të huaj, përfshirë dy shtetasit amerikanë të mirëpritur më herët sot nga ekipi ynë i ambasadës në Riad. I përcolla mirënjohjen time ministrit të Jashtëm saudit Faisal bin Farhan në një telefonatë këtë mëngjes.”– tha Blinken në një deklaratë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, gjithashtu e falenderoi princin e kurorës saudit për ndihmën e dhënë në lirimin e dy amerikanëve.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss gjithashtu shkroi në Twitter: “Falënderoj presidentin Zelensky për përpjekjet e tij për të siguruar lirimin e të arrestuarve dhe Arabinë Saudite për ndihmën e tyre. Rusia duhet t’i japë fund shfrytëzimit të pamëshirshëm të të burgosurve të luftës dhe të të burgosurve civilë për qëllime politike.”

 

 

 

 

 

Ka përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një shkëmbim të 50 të burgosurve të ukrainasve në këmbim të 200 të rusëve. Është e paqartë nëse lirimi i të burgosurve të mërkurën ishte pjesë e asaj marrëveshjeje specifike.