Vendosni fjalën kyçe....

Qindra të arrestuar në Rusi pas protestave kundër urdhrit të Putinit për mobilizim


Policia ruse thuhet se ka arrestuar qindra protestues që u mblodhën kundër vendimit të presidentit Vladimir Putin, për të thirrur mijëra trupa shtesë për të luftuar në Ukrainë.

Siç citon BBC, grupi rus i të drejtave të njeriut OVD-Info e vlerëson totalin e të arrestuarve në më shumë se 1300, ku numri më i madh i të arrestuarve ishte në Shën Petersburg dhe Moskë.

Dhjetra protestues thuhet se u ndaluan në Irkutsk dhe qytete të tjera siberiane dhe në Yekaterinburg. Në të njëjtën kohë, biletat e fluturimeve jashtë Rusisë u shitën me shpejtësi dhe pësuan një rritje të cmmimeve direkt pas njoftimit të Putinit.

Fotot në mediat sociale tregonin radhë të gjata në pikat kufitare dhe në Google, pyetja kryesore ishte “si të largohesh nga Rusia”.

Ditën e mëkurë presidenti rus urdhëroi një mobilizim të pjesshëm, që do të thotë se rreth 300 mijë rezervistë ushtarakë – por jo rekrutët – do të thirren për të përforcuar forcat ruse që kanë pësuar ndryshime në fushën e betejës në Ukrainë.

Masa erdhi një ditë pasi zonat e pushtuara të Ukrainës njoftuan referendume të parakohshme për bashkimin me Rusinë. Putin theksoi se ai do të përdorte “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur territorin rus – duke nënkuptuar se kjo mund të përfshijë dhe armë bërthamore.

Zyra e prokurorit të Moskës të mërkurën paralajmëroi se thirrjet në internet për t’iu bashkuar protestave të paautorizuara në rrugë, ose pjesëmarrja në to, mund të shkaktojnë deri në 15 vjet burg. Ata mund të ndiqen penalisht sipas ligjeve kundër diskreditimit të forcave të armatosura, përhapjes së “lajmeve të rreme” për operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ose inkurajimit të të miturve për të protestuar.

Dënimet e ashpra të Rusisë për përhapjen e “dezinformatave” në lidhje me luftën në Ukrainë dhe ngacmimet policore të aktivistëve anti-Putin i kanë bërë të rralla protestat publike kundër luftës.

Por grupi opozitar kundër luftës Vesna bëri thirrje për protesta të gjera dhe në Telegram raportoi për shumë arrestime në të gjithë Rusinë.