Vendosni fjalën kyçe....

Shfryhet tullumbacja ‘Wuddy’; autoritetet shqiptare abuzuan me njoftimin e kompanise italiane


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka abuzuar dje me njoftimin e kompanisë italiane ‘AIA’ duke shpërndarë për mediat shqiptare një alarm fals lidhur me rrezikshmërinë për konsumatorët shqiptarë për sa i përket një sasie produktesh ‘Wudy’.

Në deklaratën e bërë dje, AKU deklaronte se produktet e lartpërmendura kishin rrezik potencial serioz për shëndetin e qytetarëve duke u bërë thirrje këtyre të fundit që t’i kthejnë ato në dyqanet ku i kishin blerë.

Megjithatë tullumbacja e djeshme e AKU-së është shfryrë sot pas reagimit të kompanisë italiane ‘AIA’ që sjell produktet ‘Wudy’ në Shqipëri dhe kompanisë shqiptare ‘Frigo Food’ që e përfaqëson, e cila garanton 100% sigurinë e produktit në fjalë, gjë të cilën do e shtjellojmë më gjerë më poshtë.

Historia është kjo.

Kompania italiane ‘AIA’ ka pasur pak ditë më parë probleme me një nga stabilimentet e prodhimit, një nga shumë të tillët që ka në mbarë Italinë. Sipas procedurave, ajo ka njoftuar Ministrinë e Bujqësisë në Itali, autoritetet përkatëse në BE si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e saj, mes të cilëve edhe kompaninë që e përfaqëson në Shqipëri ‘Frigo Food’. Në njoftimin e kompanisë italiane bëhet me dije se i gjithë produkti i kompromentuar është tërhequr prej saj menjëherë nga tregu.

Produkti ‘Wudy’ i ardhur në Shqipëri është krejt i sigurt e nuk ka asnjë lidhje me njoftimin e AKU-së duke qenë se jo vetëm produkti me probleme është tërhequr nga ana e kompanisë italiane, po edhe për faktin se ai u është nënshtruar dy filtrave para se të hidhet në treg, atij italian e atij shqiptar.

Kompania ‘Frigo Food’ thekson në reagimin e saj se produkti në tregjet shqitare është 100% i sigurt dhe se ka të gjitë dokumentacionin e duhur e analizat përkatëse që e garantojnë këtë gjë.

Ndërsa AKU-ja nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka abuzuar me njoftimin e kompanisë italiane dhe ka shpërndarë një njoftim fals e të dëmshëm për kompaninë shqiptare dhe ka përhapur panik të rremë mes konsumatorëve vendas.

Reagimi i kompanisë shqiptare

“Të nderuar qytetarë dhe përfaqësues të medias!

Unë jam Sokol Meqemeja, përfaqësues i kompanisë ‘Frigo Food’, importues ekskluziv i produkteve “Ëudy ” në Shqipëri. Ditën e djeshme, opinioni publik është njohur me një deklaratë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili informonte se disa lote të produkteve ‘Wudy’  janë kompromentuar me virusin ‘Listeria’.

Në respekt të qytetarëve, si edhe të angazhuar maksimalisht për sigurinë e shëndetit të klientëve, shoqëria ‘Frigo Food’, Ju sqaron si vijon:

‘Frigo Food’, prej rreth 20 vitesh, është përfaqësues i kompanisë italiane ‘AIA’, një prej sipërmarrjeve më të mëdha italiane dhe europiane. Disa ditë më parë, ‘Frigo Food’ është njoftuar nga kompania ‘AIA’ se, në një prej stabilimenteve të saj, ka pasur defekt impianti i pasterizimit. Ju sqarojmë se kompania ‘AIA’ ka disa stabilimente prodhimi. Ky njoftim u është shpërndarë menjëherë Ministrisë italiane të Bujqësisë, autoritetit kompetent të Bashkimit Europian, si edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të kompanisë italiane ‘AIA’, përfshirë edhe importuesin ekskluziv të produkteve ‘Wudy’  në Shqipëri, ‘Frigo Food’.

Kompania italiane njofton gjithashtu se ka tërhequr të gjithë produktin e kompromentuar nga tregu europian. Ndërsa, sa i përket produktit ‘Wudy’ të mbërritur në Shqipëri, sasia e importuar është prodhuar dhe është shpërndarë nga një fabrikë, e cila është 100 për qind e sigurt.

Produkti ‘Wudy’ i mbërritur në vendin tonë nuk ka asnjë lidhje me impiantin e kompromentuar të kompanisë ‘AIA’ në Itali.

Produktet ‘Wudy’ që janë importuar në Shqipëri kanë garanci maksimale dhe kjo është e konfirmuar nga fletët e analizave të kryera në Itali, si edhe nga autoritetet shqiptare. Për të qenë sa më transparent me ju dhe opinionin publik, ju sqarojmë se çdo sasi produktesh ‘Wudy’ që mbërrin në vendin tonë, është i shoqëruar me rezultatin e analizave, të kryera nga laboratorët në Itali që janë të çertifikuar prej Bashkimit Europian, si edhe kalojnë në një filtër të dytë nga autoritetet përgjegjëse shqiptare.

Në asnjë rast të vetëm, as këto muajt e fundit, nuk është konstatuar që produktet ‘Wudy’ të importuara në Shqipëri të kenë pasur problem për sigurinë e shëndetit të klientëve.

Kompania ‘Frigo Food’ zhvilloi gjatë ditës së djeshme komunikime intensive me autoritetet përkatëse shqiptare, ku i sqaroi me detaje situatën, si edhe paraqiti garancitë maksimale se produktet ‘Wudy’ të importuara në tregun shqiptar nga kompania jonë, janë tërësisht të sigurta për përdorim nga qytetarët.

Për të gjitha këto arsye, kompania ‘Frigo Food’ kërkon të sigurojë qytetarët shqiptarë që kanë përdorur produkte ‘Wudy’ se nuk do të kenë asnjë pasojë në shëndetin e tyre dhe ato mund të përdoren pa asnjë problem, duke respektuar në çdo rast shënimet përkatëse në etiketën e produktit.

Përtej dokumentave zyrtare, kompania ‘Frigo Food’ mund të japë edhe një garanci të shtuar për qytetarët dhe klientët e saj mbi cilësinë maksimale të produktit ‘Wudy’ që gjendet në tregun shqiptar.”