Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili i është drejtuar sot me një letër kryetares së Parlamentit, zonjës Lindita Nikolla.
Përmes kësaj shkrese, Vasili i kërkon Nikollës të vendosë Kuvendin në shinat e ligjit, pasi sipas tij projektligjet e opozitës bllokohen e zvarriten duke shkelur në rregulloren.
Vasili ankohet se ka katër projektligje të Partisë së Lirisë, të cilët prej muajsh janë bllokuar dhe as që ka filluar shqyrtimi i tyre.
“Funksionimi i Kuvendit të Shqipërisë ka degraduar si koncesion shtesë i qeverisë!
I jam drejtuar sot Kryetares së Kuvendit Nikolla zyrtarisht për të vendosur Kuvendin e Shqipërisë në shinat e ligjit.
Projektligjet e opozitës bllokohen e zvarriten duke shkelur në mënyrë skandaloze Rregulloren e Kuvendit duke e shndërruar atë në një leckë pa vlerë.
Projektligje të opozitës, që u japin përgjigje të menjëhershme problemeve kritike të qytetarëve zvarriten me muaj të tërë ndërsa deputetëve rilindas dhe qeverisë Projektligjet propagandistike ju shqyrtohen në mënyrë të rrufeshme.
Ka katër projektligje të Partisë së Lirisë, të cilët prej muajsh janë bllokuar dhe as që ka filluar shqyrtimi i tyre.
Maxhoranca e ka shndërruar Kuvendin në një zyrë shtesë në shërbim të propagandës së qeverisë.
Kryetarja e Kuvendit ka përgjegjësi shumë të madhe për këtë situatë të rëndë paligjshmërie të Kuvendit.
P.S. Letra zyrtare dërguar Kryetares Nikolla!”– shkruan Vasili.