Vijon përplasja mes ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe deputetes së PD-së Jorida Tabaku.
Kjo e fundit mori fjalën për replikë pas deklaratës së Manjës, i cili i kërkoi mos të bënte pyetje retorike “Ku është drejtësia sot” e të sulmonte drejtësinë.
Tabaku tha se ndryshe nga maxhoranca socialiste nuk e ka sulmuar kurrë drejtësinë, por tha se është në të drejtën e saj të kërkojë informacion se ku janë hetimet dhe i kujtoi Manjës dosjet famëkeqe 184 dhe 339. Tabaku i tha në sy ministrit se nëse këto dosje do ishin hetuar dhe do kishte drejtësi, ai duhej të ishte në burg.
“Në fakt ashtu siç zoti Manja sugjeroi, unë nuk e kam sulmuar kurrë drejtësinë ashtu siç u bë në Asamblenë e PS-së. Thjesht besoj se jam në detyrën time që të kërkoj informacion se ku janë hetimet? Ku janë hetimet me dosjen 184 dhe 339 zoti Manja? Pse e kërcënoni SPAK-un zoti Manja? Pse nuk e lini të kryejë punën e vet për të cilin e kemi votuar ne si deputetë të këtij Parlamenti? Pse sot SPAK është bërë organi më i sulmuar nga të gjithë ata që kanë një dosje në prokurori? Ku është parë ndonjëherë që një organizatë politike të sulmojë SPAK-un dhe t’i jepni urdhër se çfarë të hetohet?
Për mua do të ketë drejtësi zoti Manja, nëse të gjithë ata që kanë sot një dosje me akuza të vërtetuara siç është dosja 184 dhe 339 do të jenë përpara drejtësisë. Përsa kohë kjo nuk ndodh dhe jemi në kuadrin e retorikës politike, nuk besoj se do të ketë drejtësi.
Dhe me këtë thirrje i drejtohem, jo juve si ministër i drejtësisë së ju sot jeni e nesër s’jeni, unë sot jam deputete e nesër nuk do jem, i drejtohem politikës dhe pushtetit të djeshëm, të sotme, të nesërm, kushdo që ka pushtet duhet të jetë para drejtësi sikundër duhej të ishit edhe ju zoti ministër. 184 dhe 339 nuk janë vetëm detyrime në procesin e integrimit, por janë çështje për vjedhjen e zgjedhjeve që nëse hetohen, personat që hetohen sot duhej të ishin para drejtësisë, por kjo nuk po ndodh.”- tha Tabaku.
Ministri Manja replikoi, duke iu drejtuar Tabakun se drejtësia nga maxhoranca ka vetëm mbështetje financiare dhe sulmet i ka nga krahu i opozitës.
“Jam shumë korrekt me rregulloren dhe në ato njohuritë e mia modeste për rregulloren se bëj pjesë tek deputetët që e njoh mirë, këtë të drejtë për të kërkuar fjalën në këtë sallë ma jep neni 47 i rregullores sa herë ta kërkoj fjalën.
Tani për zonjën Tabaku e dëgjova në replikë, por kam përshtypjen se e ke për krahun tënd gjithë çfarë the, gjithë apologjinë për drejtësinë zonja Tabaku. Ata që e pengojnë dhe e sulmojnë SPAK-un nga mëngjesi deri në darkë janë në krahun tuaj dhe nëse e do saktësisht i ke pas vetes. Se unë e kam thënë me kohë që duhet një vijë ndarëse aty por më mirë kështu siç jeni. E ke për krahun këtej dhe jo për ne. Kaq është përgjigja për këtë, me emra me mbiemra po të duash, një për një nga krahu ku je ti, dhe mbas teje ti them këtu në këtë sallë se kush e pengon dhe e intimidon SPAK-un. Dakord?! Sa për të tjerat, e kam thënë njëherë, do ta them sa herë ta kërkoni, raporti im me drejtësinë është i tillë. Sa herë drejtësia të ketë punë me këtë maxhorancën këtej, ne i jemi përgjigjur drejtësisë në çdo kohë. Ndërsa ky krahu këtej i ka shpëtuar drejtësisë me procedurë dhe me raporte mjekësore. Dhe kur nuk ju vjen mirë ju për këtë gjë, e thoni fjalën këtu dhe dilni nga salla se ju vjen orari i gjumit. Se ju e mendoni politikën dhe shërbimin ndaj qytetarëve me orar gjumi. Ai gjumi ju mori në qafë ju dhe ju ka sjellë këtu ku jeni sot. Dakord?! Kështu që të jemi të qartë në këtë pikë. Prej kësaj maxhorance, kjo drejtësi ka vetëm mbështetje dhe suport buxhetor sa herë të kërkohet. E kemi bërë që në 2016. Kjo është ajo që na takon ne, ndërsa hetimin dhe gjykimin e ka kompetencë të vetën drejtësia.”– tha Manja.