Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari i FMN-së i kërkon qeverisë të mbrojë shtresat në nevojë nga rritja e çmimeve


Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, i cili vizitoi vendin tonë në datat 19-20 shtator, kërkoi nga qeveria shqiptare të mbrojnë të varfërit nga kriza e rritjes së çmimeve nëpërmjet mbështetjes së përkohshme fiskale.

“Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Është e nevojshme të mbështeten shtresat në nevojë nga presionet mbi koston e jetesës nëpërmjet politikave fiskale të mirorientuara dhe të përkohshme dhe të shënjestruara mirë.”- tha Bo Li.

Megjithatë ai shprehu vlerësim për autoritetet shqiptare duke thënë se “kanë reaguar shpejt ndaj këtyre goditjeve me politika duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga politikat më parë”.

Në takimet e zhvilluara me Guvernatorin Genc Sejko dhe ministren Delina Ibrahimaj, zyrtari i FMN-së tha se kishte kërkuar edhe nxitjen e potencialit të rritjes së Shqipërisë dhe konvergjenca e të ardhurave me BE-në.

“Ne diskutuam gjithashtu politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar potencialin e rritjes së Shqipërisë dhe konvergjencën e të ardhurave me BE-në dhe i kërkova autoriteteve të vazhdojnë me finalizimin dhe zbatimin e një strategjie të shëndoshë afatmesme të të ardhurave.”– tha zv/drejtori i përgjithshëm i FMN-së.