Vendosni fjalën kyçe....

Armiqtë e fshehur përreth Xi-së


Autor: Francesco Sisci

Në prag të festimeve të Ditës Kombëtare të Kinës më 1 tetor, Partia Komuniste Kineze (PKK) përjashtoi ish-zëvendësministrin për sigurinë publike Sun Lijun – jo për korrupsion, por krime të rënda politike pothuajse të barasvlershme me një tentativë për grusht shteti.

Konkretisht, ai u akuzua për ‘shkelje të rënda të disiplinës’ dhe ndërtimin e klikave dhe komploteve për të marrë nën kontroll një departament kyç qeveritar.

Sun, i arrestuar rreth një vit më parë, është fajtor për ‘ambicie politike jashtë norme’ dhe ‘mospajtim arbitrar me udhëzimet e politikës qendrore’, shkroi komiteti i fuqishëm disiplinor i partisë CCDI në një deklaratë në faqen e tij zyrtare.

Ish-zëvendësministri kishte ‘krijuar dhe përhapur thashetheme politike, kishte ndërmarrë veprime kundër të tjerëve, kishte thurur një rrjet mashtrimi për të përfituar kapital politik dhe përdorte mjete të paskrupullta për të formuar banda, klika dhe grupe interesi brenda partisë dhe për të ndërtuar pushtetin e tij personal’, thuhej në deklaratë, duke lënë të kuptohet se ai kishte shkelur rëndë centralizmin partiak dhe besnikërinë ndaj lidershipit të lartë.

“Ai krijoi një komplot për të marrë kontrollin mbi një departament kyç, duke rrezikuar seriozisht sigurinë politike dhe unitetin e partisë.” – shtoi deklarata e CCDI. Thuhet gjithashtu se Sun ka ‘strehuar në vete ambicie politike jashtëzakonisht të fryra’ dhe ka ‘cilësi të liga politike’.

Sun Lijun ishte nën hetim që nga viti i kaluar

Ndërkohë, mediat kineze raportuan se ish-kolegu i tij, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-kreu i Byrosë së Sigurisë Publike Fu Zhenghua, po hetohet për ‘shkelje të rëndë të disiplinës dhe ligjit’, sipas një deklarate nga autoritetet.

Fu udhëhoqi hetimin për ish-carin e sigurisë Zhou Yongkang, i burgosur në vitin 2015. Zhou ishte një rival i presidentit Xi Jinping dhe një aleat i ish-shefit të partisë Chongqing, Bo Xilai, i arrestuar në vitin 2013. Arrestimet e Bo dhe Zhou ndihmuan në konsolidimin e ngjitjes së Xi Jinping pushtet.

Lajmet për Fu dhe Sun vijnë disa javë pasi aleati i tyre i ngushtë, Peng Bo, një ish-mbikëqyrës i lartë kinez i internetit, u akuzua nga CCDI për pabesi ndaj Partisë.

Peng, zëvendës-shefi i Administratës së Hapësirës Kibernetike të Kinës, u përjashtua nga Partia në gusht. Peng dhe Fu kryqëzuan rrugët kur ky i fundit drejtoi zyrën Qendrore 601, e cila në 1999 ishte përgjegjëse për goditjen kundër Falun Gong, të urdhëruar nga ish-shefi i partisë Jiang Zemin. Peng ishte zëvendësi i tij.

Fu është ish-zëvendësministri i katërt i Sigurisë Publike që është arrestuar nga CCDI në vitet e fundit.

Në vitin 2016, Li Dongsheng, një ish-zëvendës shef i policisë kombëtare dhe aleat i ish-carit të sigurisë Zhou, u burgos me 15 vjet me akuza për korrupsion. Vitin e kaluar, ish-kreu i agjencisë ndërkombëtare të policisë Interpol, Meng Hongwei, u dënua me 13 vjet e gjysmë burg për korrupsion.

Komploti kundër Xi

Akuza e fshehtë e hollë është për komplot kundër Xi. Por oficerët në fjalë janë relativisht të vegjël për të komplotuar kundër liderit pothuajse të plotfuqishëm të partisë. Ata duhet të kenë pasur mbështetjen e disa eprorëve. Në strukturën e tanishme të partisë, ata ka të ngjarë të jenë ish-udhëheqës në pension.

Xi është në një pozicion të paprecedentë dhe pothuajse të pamundur. Mao nuk kishte asnjë lider tjetër të lartë që fshihej pas shpine, sepse ai kishte fituar pushtetin përmes një lufte kundër rivalit të tij, Gjeneralit nacionalist Chiang Kai-shek.

Deng eliminoi menjëherë kundërshtarët e tij,’”Bandën e të Katërve’, duke i vënë në gjyq publik dhe duke paralajmëruar kështu këdo tjetër që të mos provonte ndonjë gjë qesharake.

Përveç kësaj, asnjë nga kundërshtarët e tij nuk kishte vjetërsinë dhe ndikimin e tij në trajtimin e bizneseve partiake. Kur Jiang Zemin erdhi efektivisht në pushtet, pas vdekjes së Deng, atij iu desh të përballej me hijen e fuqishme të rivalit të tij Qiao Shi mbi supe.

Megjithatë, protesta e Falun Gong iu vesh Qiaos; ai u mënjanua, dhe pak më vonë ai pati disa probleme shëndetësore që dëmtuan aftësitë e tij. Në përgjithësi, pushteti i Qiao u zhduk. Hu Jintao duhej të jetonte nën hijen e Jiang.

Xi është përpjekur të shkëpusë lidhjet e Jiang dhe të gjithë liderëve të mëparshëm, por bëhet fjalë për shumë syresh. Ka njerëz nga brezi i Hu-së, nga brezi i Jiang-ut, madje edhe disa të mbijetuar të rrallë të kohës së Deng-ut. Ata kanë privilegje, qasje politike, një rrjet miqsh dhe aleatesh dhe mbrojnë njëri-tjetrin.

Izolimi total i tyre do t’i hiqte Xi një pjesë të legjitimitetit të tij, duke qenë se ai rrjedh nga kjo elitë. Por mbajtja e tyre përreth minon fuqinë e Xi.

Zgjidhja e Jiang dhe Hu ishte që ish-udhëheqësit të konsultoheshin për vendime të mëdha dhe të vogla. Por procesi ishte i pavolitshëm, i errët dhe çoi në korrupsionin masiv që po ndalonte ekonominë kineze dhe që Xi u përpoq të trajtonte.

Zgjidhja e Xi ka qenë që ata të jetojnë në një ‘flluskë’, me para, por pa fuqi, larg vëmendjes. Por ka mijëra prej tyre, relativisht të shëndetshëm dhe energjikë, dhe në një shoqëri ku lidhjet personale janë jetike, ata ende ruajnë besnikërinë nga të afërmit e tyre të mëparshëm.

Sigurisht, Xi po përpiqet t’i shkurtojë këto lidhje, duke theksuar nevojën për të sunduar vendin sipas ‘ligjeve’ josentimentale. Megjithatë, ndryshimi nuk është i lehtë në një vend ku lidhjet personale kanë qenë gjithmonë shtylla kurrizore e mbijetesës përballë një shteti të pamëshirshëm. As tani nuk është e mundur të eliminohen fizikisht apo të burgosen të gjithë udhëheqësit e kaluar.

Sistemi tradicional i vuri nën arrest shtëpie të gjitha bashkëshortet perandorake dhe princat kryengritës; sulltani turk do t’i vriste të gjithë vëllezërit e tij pas ngjitjes së tij në fron. Metoda ishte mizore, por racionale. Udhëheqësi suprem duhej të sigurohej që askush me pushtet nuk do të komplotonte pas shpine.

Sistemet demokratike nuk e largojnë këtë rrezik institucional, por e minimizojnë atë duke e bërë procesin politik transparent. Ju mund të debatoni hapur kundër udhëheqësit të tanishëm të lartë, por nuk mund të komplotoni fshehurazi kundër tij; përveç kësaj, drejtuesit janë praktikisht qytetarë të zakonshëm pas daljes në pension.

Në këtë rast, Xi duhet të ketë një interes objektiv për ta bërë sistemin më transparent dhe demokratik. Armiqtë e tij nuk mund të fshiheshin dhe lufta për pushtet do të ishte e hapur.

Këtu ka një kthesë tjetër në enigmën e ndërlikuar të Kinës. Nëse Xi do përpiqej të zgjidhte çështjet e tij të pushtetit duke demokratizuar sistemin politik, shumë në parti do e quanin atë ‘tradhtar’. Struktura e partisë është në fakt problemi i madh. Në shumë çështje të brendshme dhe ndërkombëtare, interesat e Partisë i kalojnë ato të vendit.

Për shembull, a do të përfitonte Kina nga një monedhë e konvertueshme lirisht dhe një treg më i lirë? Në planin afatgjatë, po, por kjo do rrezikonte mbajtjen e partisë në pushtet, pasi një krizë e mundshme financiare do trondiste kontrollin e ngurtë të partisë.

Nëse vendi do ishte një demokraci, qeveria do dorëhiqej në rast të trazirave financiare, me gjasë për shkak të largimit të kapitalit me një monedhë të konvertueshme. Një tjetër do zgjidhej përmes zgjedhjeve.

Në mënyrë të ngjashme, interesat e veteranëve të Partisë – mbajtja e kastës së privilegjuar të fryrë dhe joefektive me gishtat në tortën e pushtetit – janë kundër Xi, i cili do donte një sundim më efektiv dhe më të përgjegjshëm. Teorikisht, një reformë gjithëpërfshirëse e strukturës së partisë do ishte e nevojshme për të pasur një ‘sundim të ligjit’ të qartë.

Por disa veteranë në pension nuk janë në fakt të interesuar për interesat afatgjata të shtetit, por për të rikuperuar dominimin e tyre gjysmë të humbur. Nëse Xi nuk e zgjidh çështjen, kontradiktat e shumta mund ta bëjnë sistemin të ngecë apo edhe të shpërthejë.

*Ky shkrim është pronësi intelektuale e Asia Times

VINI RE: Ky shkrim u shfaq fillimisht në faqen e internetit Settimana Neës dhe ripublikohet me leje. Për të parë shkrimin origjinal, ju lutemi klikoni këtu.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani