Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: Lejoi sulmin kibernetik, qëllimi shkatërrimi i TIMS-it dhe databazës së Policisë Shkencore


Kreu i PD-së Berisha ka deklaruar sot se në sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë kanë qenë të përfshirë edhe hakera rusë e serbë.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ai tha se Kosova është sulmuar nga sistemet e Shqipërisë.

Berisha shtoi se qeveria ka lejuar ndërhyrjen e hakerave në sistemet e rëndësishme të vendit për të zhdukur databaën e Policisë Shkencore.

“Dua të informoj shqiptarët nga burime të trefishta se në operacionin e shkatërrimit të infrastrukturës dixhitale në Shqipëri, janë pjesëmarrës hakera të qeverisë, hakera rusë dhe serbë.  Kjo është e vërtetë e konfirmuar për opozitën nga burime shumë serioze. Kosova është sulmuar nga sistemet e Shqipërisë. Kjo do të thotë një penetrim të plotë të hakerave serbë ose rusë. Specialistë të kësaj fushe kanë deklaruar se sulmet kanë ardhur nga rajoni. Databaza e policisë shkencore që ka shenjat e gishtave, grupet e gjakut, nuk ka asnjë lidhje me portalet, ka lidhje direkte me ndërhyrje të hakerave të qeverisë që do të zhdukë lidhjet e saj me krimin. Janë me dhjetëra orë komunikimi të qeveritarëve me grupet më të rrezikshme kriminale, në Shqipëri, në Dubai, në Amerikën Latine, në Meksikë dhe kudo. Unë mund tu deklaroj se personalisht Edi Rama është sipas të gjitha indicieve ka qenë dhe është nën hetim ndërkombëtar.” – tha Berisha.

Lidhur me sulmin kibernetik ai shto se qeveria ka mundësuar shkatërrimin e sistemet TIMS e MEMEX duke asgjësuar të gjitha të dhënat e rëndësishme të policisë, me qëllimin e vetëm zhdukjen e provave që implikojnë lidhjet kriminale të Ramës, Ballës, Gjiknurit, Ahmetajt, Veliajt e zyrtarëve të tjerë.

“Në një akt të paprecedentë të revanshit të krimit në këtë shtet, qeveria ka shkatërruar të gjitha sistemet e policisë TIMS-in, databazën e policisë shkencore e cila përmban çdo gjë rreth kriminelëve dhe grupeve kriminale. Ka shkatërruar MEMEX dhe faktikisht kemi të bëjmë me një asgjësim total të punës afro 30 vjeçare të policisë së shtetit. Shkatërrimi i këtyre sistemeve nuk ka asnjë lidhje me sulmet e E-albania. Shkatërrimi i këtyre sistemeve është bërë me qëllimin e vetëm për të zhdukur provat që ekzistojnë mbi lidhjet e tmerrshme të krimit për Ramën, Ballën, Gjiknurin, Veliajn dhe qeveritarë të tjerë. Duke asgjësuar të dhënat e këtyre sistemeve, janë asgjësuar provat materiale të kontestueshme të këtyre lidhjeve. Edhe në rast se prokuroria për aksident ka në disponim në dosje të dhëna të tilla, ato validizohen vetëm duke u gjetur në arkivën e tyre. Dënoj këtë akt ndër më të rrezikshmit. Sot gjurmët e gishtave të shqiptarëve janë në cilindo vend që dëshiron t’i ketë, pas shkatërrimit këtu. Sot asnjë urdhër nuk mund të zbatohet më bazuar në dokumentim shkencor të personit. E sigurt është ky është një bashkëpunim qeveritaro-policesk, është një operacion i paprecedentë në ndonjë vend përveçse në vendin e mafies në Shqipëri.” -tha Berisha.