Vendosni fjalën kyçe....

Deficiti i bilancit të pagesave prek nivelin më të ulët që prej vitit 2018


Bilanci i pagesave të vendit deri tani po shënon ecurinë më të mirë që prej vitit 2018. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2022 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 469 milionë eurove, në rënie me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson balancën mes flukseve korrente hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi.

Shqipëria ka pasur gjithmonë një pozicion deficitar të llogarisë korrente, sepse është një ekonomi e varur në një masë të madhe nga importet e mallrave. Deficiti tregtar në mallra vazhdoi të thellohet edhe këtë vit, me 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një zhvillim i tillë ishte i pritshëm, duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të çmimeve të shumicës së mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Por, suficiti në shërbime u zgjerua me 39% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke dhënë kontributin kryesor në përmirësimin e bilancit të llogarisë korrente. Rritja e suficitit të llogarisë së shërbimeve erdhi sidomos nga zgjerimi i ndjeshëm i të ardhurave nga turizmi dhe nga fasoneria.

Për 6-mujorin e parë të vitit, të ardhurat neto në zërin e shërbimeve për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneri) arritën në 340 milionë euro, 36% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe vlera më e lartë historike e regjistruar ndonjëherë. Ndërsa të ardhurat neto nga turizmi arritën në 338 milionë euro, në rritje vjetore me 17%.

Kontribut pozitiv në uljen e deficitit të llogarisë korrente dhanë edhe të ardhurat dytësore të kësja llogarie, që konsistojnë në pjesën dërrmuese në të dërgesat të emigrantëve.

Lëvizjet në bilancin e pagesave janë në teori faktori kryesor që ndikon edhe ecurinë e kursit të këmbimit të lekut, sidomos kundrejt euros, që është edhe monedha kryesore e këmbimeve tregtare të vendit. Në fakt, këtë vit euro ka prekur nivelet më të ulëta historike në kursin e këmbimit me lekun.

Në tremujorin e dytë, niveli më i ulët i kursit ishte 119.13 lekë, por rënia do të thellohej më shumë në tremujorin e tretë, kur euro preku nivelin e 116.4 lekëve. Përmirësimi në bilancin e pagesave, si faktori më fondamental, duket se e shpjegon, të paktën pjesërisht, mbiçmimin e ndjeshëm të monedhës vendase.

Nga ana tjetër, edhe rritja e të investimeve të huaja direkte ka ndikuar pozitivisht në shtimin e flukseve valutore hyrëse në ekonomi. Investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 634 milionë Eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet e huaja janë një nga burimet kryesore të kompensimit të deficitit valutor të ekonomisë.

Në total, fluksi hyrës neto i llogarisë financiare arrriti në 435 milionë euro, në rritje me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor