Vendosni fjalën kyçe....

Kushi reagon pas takimit me pedagogët: Dialogu për rritjen e pagave do vazhdojë


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka reaguar pas takimit të zhvilluar me pedagogët ku u diskutua kërkesa e tyre mbi rritjen e pagës dhe mbështetjen e kërkimit shkencor.

Pas takimit që nuk rezultoi i suksesshëm, Kushi shkroi se do të vazhdojë dialogu mes dy palëve për sa i përket rritjes së pagave të pedagogëve me synimin që kjo rritje të lidhet me performancën e universiteteve.

Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.

Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si:

– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;

– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;

– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;

– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;

– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.

Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës”-shkruan Kushi.