Vendosni fjalën kyçe....

Polonia dëshiron më shumë trupa të NATO-s mes mobilizimit në Rusi


Njoftimi i Rusisë për një mobilizim të pjesshëm ushtarak është një shenjë disfate dhe nuk përbën kërcënim për Poloninë, por meriton përgjigjen e pëërshtatshme, duke vendosur më shumë trupa të NATO-s në Evropën Lindore, tha Pawel Soloch, një zyrtar i lartë polak i sigurisë.

“Në lidhje me këtë mobilizim, ne duhet të bëjmë presion për një prani më të madhe aleate në krahun lindor. Ky është një argument shtesë për të pasur trupa shtesë të NATO-s në lindje.” – tha Soloch në një intervistë me programin Graffiti në Polsat News të enjten.

Presidenti rus Putin njoftoi të mërkurën se disa rezervistë ushtarakë do thirren në shërbim aktiv për të ndihmuar në ofensivën ushtarake të vendit në Ukrainë.

Masa është e nevojshme sepse trupat ruse po përballen jo vetëm me vetë Ukrainën, por me ‘gjithë makinën ushtarake perëndimore’, argumentoi Putin.

Soloch, i cili drejton Byronë e Sigurisë Kombëtare të Polonisë, e quajti lëvizjen ruse dëshmi të ‘humbjes’ së Putinit dhe vuri në pikëpyetje aftësinë e Ministrisë së Mbrojtjes ruse për të thirrur në armë 300,000 njerëz, siç synon të bëjë.

I pyetur nëse siguria polake do rrezikohej nga numri i shtuar i trupave ruse, ai tha se kjo nuk do ndodhte. Zyrtari polak e cilësoi fjalimin e Putinit që shpalli lajmin si një përshkallëzim retorik të konfliktit me Perëndimin, duke përmendur ‘kërcënimin shumë të paqartë të përdorimit të armëve bërthamore’.

Presidenti rus tha se Rusia nuk do ngurronte të përdorte çdo mjet që ka në dispozicion, nëse sulmohet me armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë.