Kryeministri Rama ka reaguar 24 orë pas vendimit të qeverisë për mylljen e shkollës ‘Mehmet Akir Ersoy’.
Në një shënim në rrjetet sociale kreu i qeverisë shkruan se nuk ka asnjë teori konspiracioni pas vendimit të lartpërmendur por vetëm zbatimi të barabartë të ligjit për heqjen e licencës së një shkolle.
Ai shton se përfaqësuesit e ‘Mehmet Akif’ kanë shitur godinën ku kanë lejen e aktivitetit dhe e kanë hapur atë diku tjetër pa marrë lejen siç e kërkon ligji e pa përmbushur standartet e kërkuara.
“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë. Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës. Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi.” – shkruan Rama.