Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me artikujt në lidhje me një amnisti të mundshme për të burgosurit.
Por sipas reagimit të ministrisë së drejtuar nga Ulsi Manja, deri tani nuk ka asnjë draft, të shkruar apo në konsultim, për një projekt-ligj të tillë.
“Nisur nga interesi publik, i familjarëve dhe i personave në konflikt me ligjin për një amnisti në IEVP e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë sqaron: Deri tani nuk ka asnjë draft, të shkruar, apo në konsultim, për një projekt-ligj mbi një amnisti të mundshme.
Nuk ka asnjë grup pune në Ministri të Drejtësisë, apo në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ngritur për këtë qëllim. Ministria e Drejtësisë u lutet mediave, të përdorin edhe informacionin në rrugë zyrtare, pasi lajmet vetëm burimore që rezultojnë të rreme shkaktojnë indinjatë, zemërim dhe mosbesim tek familjarët, tek personat në konflikt me ligjin dhe tek publiku, jo vetëm ndaj institucioneve publike, por edhe vetë medias.”- thuhet në njoftim.
Ky reagim i Ministrisë së Drejtësisë vjen pas disa artikujve në media sipas të cilave pak muaj nga zgjedhjet vendore qeveria vendos t’i rikthehet pas tre viteve manovrës së amnistimit të disa prej të të dënuarve që vuajnë në burgjet shqiptare. Sipas këtyre artikujve, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur projektligjin për amnistinë i cili do të shqyrtohet në Kuvend përmes komisioneve parlamentare. Por këto u hodhën poshtë.