Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka reaguar në lidhje me arrestimin e një mjeku te spitali i Traumës ditën e djeshme.
Në një postim në rrjetet sociale, zonja Kryemadhi shprehet se mjeku u arrestua sikur të ishte pjesë e karteleve të drogës.
Deputetja shprehet se i duhet dhënë fund korrupsionit në shëndetësi, por më parë bluzat e bardha duhet të trajtohen me një pagë dinjitoze. Ajo thekson se në pranga duhet të jenë qeveritarët e inceneratorëve, jo doktorët, mësuesit e profesionistët.
“Dje qeveria ka arrestuar një doktor për korrupsion, ndërkohë që vazhdon të furnizojë me paratë e shqiptarëve korrupsionin masiv me inceneratorët.
Doktori u arrestua si kartel droge, kurse qeveria drejton një kartel korrupsioni nga zyrat e taksapaguesve.
Absurdi i shëndetësisë falas të Ramës, është se sot shqiptarët po harxhojnë më shumë për t’u kujdesur për shëndetin dhe korrupsioni është rritur.
Duhet dhënë fund korrupsionit në shëndetësi, por kjo kërkon trajtim me pagë dinjitoze.
Duhet të rrisim pagat e doktorëve, mësuesve, administratës, që ata të mos kenë nevojë për të parë qytetarët nga duart. Të gjithë shqiptarët kanë nevojë për paga më të larta, ndaj vendi ka nevojë urgjente për të krijuar më shumë vende pune të mirëpaguara, çfarë do të ndalonte edhe emigrimin masiv.
Të arrestuar duhet të jenë qeveritarët e inceneratorëve, jo doktorët, mësuesit e profesionistët.”- shkruan Kryemadhi.
Ky reagim i Kryemadhit vjen pasi një ditë më parë, pas një operacioni policor u arrestua mjeku reanimator si dhe u shoqëruan një mjeke tjetër dhe një infermiere, të cilët akuzohet se merrnin para nga pacientët për kryerjen e skanerëve.