Vendosni fjalën kyçe....

Charles Michel: Europa të hapë dyert për ata që duan të largohen nga Rusia


Evropa duhet t’i pranojë qytetarët rusë që kërkojnë të largohen nga vendi. Kështu tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë me POLITICO, Michel tha se BE duhet të tregojë një “hapje ndaj atyre që nuk duan të instrumentalizohen nga Kremlini”.

Sipas presidentit të KiE-së, njoftimi i Vladimir Putinit për një mobilizim të pjesshëm të trupave në fillim të kësaj jave ka ndryshuar dinamikën e luftës.

“Në parim mendoj se … Bashkimi Evropian duhet të presë ata që janë në rrezik për shkak të opinioneve të tyre politike. Nëse në Rusi njerëzit janë në rrezik për shkak të opinioneve të tyre politike, sepse nuk ndjekin këtë vendim të çmendur të Kremlinit për të nisur këtë luftë në Ukrainë, ne duhet ta kemi parasysh këtë.”- tha Michel i cili u shpreh se ishte i hapur për konsultime me kolegët e BE-së rreth se si mund të arrihet kjo.

Komentet e Michel vijnë përpara një takimi të ambasadorëve të BE-së që do mbahet të hënën, të organizuar në kuadrin e reagimit të integruar politik të BE-së ndaj krizës.

Çështja nëse do të lejohen rusët të kërkojnë strehim në Evropë është një çështje komplekse. Këtë muaj, Bashkimi Evropian ra dakord të pezullojë një marrëveshje për lehtësimin e vizave me Rusinë, pasi disa vende kundërshtuan qytetarët rusë që të vizitojnë dhe të pushojnë në Evropë, kur qeveria e Putinit po bënte luftë në Ukrainë. Por me qytetarët rusë që tani janë në radhë në kufi për t’u larguar nga vendi, BE po përballet me thirrjet për të hapur kufijtë e saj.