Vendosni fjalën kyçe....

Homazhet për Sali Shijakun nesër tek holli i TOB-së, mesazhet nga politika për piktorin


Pas ndarjes nga jeta të piktorit të njohur Sali Shijaku, të shumta janë mesazhet nga politika.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të piktorit, duke kujtuar përmes një mesazhi në “Facebook” bisedat me të. Sipas tij, Sali Shijaku lartësoi kulturën dhe artin kombëtar.

Mes rreshtash, ish-presidenti thekson se Shijaku ishte piktori i njërit prej heronjve të tij më të dashur, Vojo Kushit.

Reagimi i Metës

Një humbje e madhe për të gjithë ndarja nga jeta e Nderit të Kombit, artistit të mirënjohur, Sali Shijaku, një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.
Takimet dhe bisedat e ngrohta me të do të mbeten për mua të paharruara, siç do të mbetet galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar.
Sali Shijaku ishte piktori i njërit prej Heronjve të mi më të dashur, Vojo Kushit.

Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe. Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi.
Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t’i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit. Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. “Po këpucët ku i ka?”, e pyeten. “Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit”, – u përgjigj me dinakëri artisti. “Ke të drejtë, i thanë, aprovohet”.
Kështu mbijetoi tabloja e famshme “Vojo Kushi”, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, për t’ju mbetur trashëgim brezave si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste.
Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, Kombin dhe Lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore.
Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.
Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku do të mbetet i paharruar dhe trashëgima e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht.
Ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Shijaku, bashkëpunëtorëve ndër vite dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme!
Të prehet në paqen e merituar!

Një tjetër politikan që ka reaguar për ndarjen nga jeta të Sali Shijakut, është ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Basha shprehet se Shijaku i la pas trashëgim kulturës tonë një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo.

“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të piktorit dhe artistit të madh Sali Shijaku. Ai i la trashëgim kulturës tonë një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo. Ikja e tij nga kjo jetë lë pas një zbrazëti për familjen, miqtë dhe admiruesit e artit të tij elegant.

Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin e artistëve për këtë humbje të madhe!”- shkruan Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjithashtu ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit.

Ai thotë se Shijaku ishte ikonë e Tiranës dhe një piktor i jashtëzakonshëm.

“Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes.”- shkruan Veliaj.

Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe do të zhvillohen nesër në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00.