Vendosni fjalën kyçe....

Protestat për vdekjen e 22-vjeçares në Iran, mediet raportojnë për 35 protestues e policë të vdekur


Të paktën 35 njerëz janë vrarë në pak më shumë se një javë protesta që shpërthyen në Iran pas vdekjes së një 22-vjeçareje.

“Numri i njerëzve që vdiqën në trazirat e fundit në vend është rritur në 35 persona.”– tha agjencia e lajmeve Borna.

Numri zyrtar kishte arritur më parë në 17 të vdekur, duke përfshirë pesë personel sigurie.

Demonstruesit kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha anembanë Iranit, përfshirë Teheranin, për tetë netë rresht që nga vdekja e Mahsa Amini.

Gruaja kurde 22-vjeçare u shpall e vdekur tre ditë pas arrestimit të saj në kryeqytetin iranian për mbajtjen e shamisë me hixhab në një mënyrë “të pahijshme”.

Amini vdiq pasi kaloi tre ditë në koma pas arrestimit të saj nga policia morale e Iranit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë.

Aktivistët thanë se ajo pësoi një goditje në kokë në paraburgim, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet iraniane, të cilat kanë hapur një hetim.

Të premten mbrëma, ministri i Brendshëm Ahmad Vahidi tha se Amini nuk ishte rrahur. “U morën raporte nga organet mbikëqyrëse, u intervistuan dëshmitarët, u shqyrtuan video, u morën mendime mjeko-ligjore dhe u konstatua se nuk kishte pasur rrahje.”- citohet të ketë thënë ministri Vahidi nga Alarabyia.

Ministri tha se qeveria po hetonte shkakun e vdekjes së Amini, duke shtuar se “ne duhet të presim për mendimin përfundimtar të ekzaminuesit mjekësor, i cili kërkon kohë”. Vahidi kritikoi “ata që morën pozicione të papërgjegjshme… nxitën dhunën dhe ndoqën Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe grupet anti-revolucionare”.

Mijëra njerëz marshuan përsëri nëpër Teheran gjatë një mitingu pro-hixhabit të premten.