Vendet e G7-ës i kanë dënuar referendumet në Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporozhye si ‘të paligjshme’ dhe jodemokratike.
Anëtarët e saj janë zotuar të mos i pranojnë kurrë rezultatet e tyre dhe do vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Ukrainës, sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë të premten.
SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia e Japonia denoncuan ‘referendumet e rreme që Rusia përpiqet të përdorë për të krijuar një pretekst të rremë për ndryshimin e statusit të territorit sovran të Ukrainës’, të cilat ‘nuk kanë asnjë efekt ligjor apo legjitimitet’ dhe ‘në asnjë mënyrë nuk respektojnë normat demokratike’, sipas deklaratës.
Dy republikat e Donbasit, të njohura si shtete të pavarura nga Moska në shkurt, dhe dy rajonet jugore të Ukrainës kryesisht nën kontrollin e trupave ruse po mbajnë një votim për bashkimin me Rusinë. Votimi ka nisur të premten dhe pritet të përfundojë javën e ardhshme.
Duke këmbëngulur se ‘nuk do t’i njihte kurrë këto referendume’ ose ‘aneksimin rus’ pasues, G7 tha se ato ‘në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë një shprehje legjitime të vullnetit të popullit ukrainas’.
Në vend të kësaj, G7 tha se do vazhdojë të ofrojë ‘mbështetje financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore’ për qeverinë në Kiev dhe të nisë ‘përpjekjet për rindërtim’ në një konferencë në Gjermani muajin e ardhshëm.
“Ne do të qëndrojmë të vendosur me Ukrainën për aq kohë sa të duhet.” – përfundoi deklarata.