Këtë të dielë Italia voton në zgjedhjet kombëtare, pasi qeveria e unitetit kombëtar të kryeministrit Mario Draghi u rrëzua nga grindjet e brendshme partiake në korrik.
Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, lideri i ardhshëm i Italisë mund të vijë nga e djathta ekstreme. Dhe për herë të parë mund të jetë një grua.
Partia ‘Vëllezërit e Italisë’ e Giorgia Melonit kryeson në sondazhe dhe nëse fiton, ajo do të kërkojë të formojë një qeveri të krahut të djathtë.
Giorgia Meloni
Katër vjet më parë, partia e saj mori pak më shumë se 4% të votave në zgjedhjet e fundit të përgjithshme dhe megjithatë ajo tani është favorite sipas sondazheve. Meloni pritet sipas sondazheve të marrë të paktën një të katërtën e mundshme të votave.
E mbështetur dhe nga dy parti të tjera, Lidhja dhe Forza Italia, sondazhet sugjerojnë se ajo po shkon drejt një koalicioni të shumicës në dy dhomat e parlamentit të Italisë.
45-vjeçarja ishte e vetmja udhëheqëse partiake e madhe që refuzoi të hynte në koalicionin e Mario Draghi, kështu që ajo ishte e vetmja udhëheqëse e madhe e opozitës kur qeveria u rrëzua në korrik.
Ajo formoi partinë ‘Fratelli d’Italia’ në vitin 2012, katër vjet pasi u bë ministrja më e re e Italisë nën qeverinë e Silvio Berlusconi në 2008.
Kur ishte adoleshente, Meloni iu bashkua krahut të të rinjve të lëvizjes neofashiste të Italisë, e formuar pas luftës nga mbështetësit e diktatorit të ndjerë Benito Musolini. Në librin e saj të vitit 2021, “I Am Giorgia”, ajo thekson se nuk është fashiste, por identifikohet me trashëgimtarët e Musolinit: “Unë kam marrë stafetën e një historie 70-vjeçare”.
Ndryshe nga aleatët e saj të krahut të djathtë, ajo nuk ka kohë për Vladimir Putinin e Rusisë dhe është pro NATO-s dhe pro-Ukrainës, edhe pse shumë votues të djathtë janë të vakët ndaj sanksioneve perëndimore. Përveç uljes së taksave, aleanca e saj dëshiron të rinegociojë planin masiv të rimëkëmbjes së Covid dhe të zgjidhet presidenti i Italisë me votim popullor. Për të ndryshuar kushtetutën, asaj do t’i duhej një shumicë prej dy të tretash në parlament.
Duke përqafuar një moto të vjetër të diskutueshme, “Zoti, atdheu dhe familja”, ajo bën fushatë kundër LGBT, dëshiron një bllokadë detare të Libisë dhe ka paralajmëruar vazhdimisht kundër emigrantëve myslimanë.
Ajo kërkon gjithashtu një “qëndrim të ndryshëm italian” ndaj organit ekzekutiv të BE-së. “Kjo nuk do të thotë se ne duam të shkatërrojmë Evropën, që duam të largohemi nga Evropa, se duam të bëjmë gjëra të çmendura.”- thotë Meloni.
Enrico Letta
Enrico Letta, 56 vjeç, ishte kryeministër për 10 muaj në 2013-14 dhe nuk është i panjohur për politikën e ashpër të Italisë. Ai udhëhoqi një koalicion me Forza Italia të Silvio Berlusconit dhe në fund u rrëzua nga një rival në partinë e tij, Matteo Renzi.
Letta ishte një mbështetës i madh i qeverisë së Mario Draghit. Ai thotë se italianët do t’i ndëshkonin ata që e rrëzuan atë në korrik, duke drejtuar gishtin drejt Lëvizjes populiste Pesë Yje të Giuseppe Conte. Letta tanimë ka gjetur kauzë të përbashkët me ish-udhëheqësin e Pesë Yjeve, Luigi di Maio, i cili u grind me Conten dhe formoi një parti të re centriste të quajtur Përkushtimi Qytetar (Impegno Civico).
Qëllimi kryesor i liderit të qendrës së majtë është të ndalojë marrjen e pushtetit nga e djathta e fortë në Itali. Ai dëshiron investime në energjinë e rinovueshme dhe propozon një plan me tetë pika për arsimin.
PD-ja mbështet një pagë minimale prej 9 eurosh për të mbuluar rreth tre milionë punëtorë dhe dëshiron ta bëjë më të lehtë për fëmijët e emigrantëve marrjen e shtetësisë; të luftojë diskriminimin anti-LGBT dhe të legalizojë martesat e homoseksualëve.
Sistemi i ri zgjedhor i Italisë
Aleanca fituese do të ketë nevojë për një shumicë në të dy dhomat e parlamentit, Dhomën e Deputetëve dhe Senatin dhe italianët po votojnë për të dyja.
Rregullat e reja nënkuptojnë se parlamenti është tkurrur me një të tretën, kështu që tani do të ketë 400 deputetë në dhomë, në vend të deri në 630 që ishin m ë parë dhe 200 senatorë në vend të 315.
Italia ka një sistem votimi hibrid, në të cilin tre të tetat (rreth 36%) e anëtarëve zgjidhen në një votim të parë pas postit në njësitë elektorale me një anëtarë. Pjesa tjetër zgjidhet me përfaqësim proporcional sipas listave të kandidatëve partiakë, me vende të rezervuara për votuesit jashtë vendit.
Votuesit duhet të jenë 18 vjeç dhe të japin një votë për Dhomën dhe një për Senatin. Partitë duhet të sigurojnë të paktën 3% të votave për të hyrë, me Italinë të ndarë në 27 zona zgjedhore.
E djathta konservatore
Partia e Giorgia Melonit nuk ka përvojë në qeverisje, kështu që ajo do të ketë nevojë për mbështetje të plotë nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini, të cilët ishin të dy pjesë e qeverisë së Dragit. Me mbylljen e fushatës zgjedhore, të tre liderët zhvilluan një tubim të përbashkët në Romë.
Megjithëse ai ishte kryeministri më jetëgjatë i Italisë, Berlusconi, 85 vjeç, kandidon për zgjedhjet në Senat për herë të parë që kur u ndalua në vitin 2013 për mashtrim tatimor. Forza Italia e tij e qendrës së djathtë shihet si më e dobëta nga tre partitë.
Liga e Matteo Salvinit është një partner natyral i zonjës Meloni. Si ministër i brendshëm, ai mbylli kampet e emigrantëve dhe bllokoi anijet e OJQ-ve që transportonin emigrantët e shpëtuar nga Mesdheu të hynin në port.
Çfarë duan ata? Ata po premtojnë të ulin taksën e shitjes për energjinë dhe artikujt e tjerë thelbësorë dhe të vendosin një taksë të sheshtë për të vetëpunësuarit, ndoshta të vendosur në 23%, që kritikët thonë se do t’u jepte më shumë të pasurve sesa të varfërve.
Ata duan t’i japin fund ndalimit për energjinë bërthamore. Ka plane për të mbështetur normën e lindjeve në Itali me shtimin e shtesave për familjet. Dhe ata synojnë të luftojnë imigracionin e parregullt dhe të menaxhojnë imigracionin legal në mënyrë të rregullt.
Pesë yjet
Partia anti-establishment e Giuseppe Conte-s fitoi zgjedhjet e 2018-ës me pothuajse një të tretën e votave, por aktualisht nuk janë pjesë e asnjë aleance.
Ata filluan duke e ndarë pushtetin me Ligën e ekstremit të djathtë dhe më pas kaluan në Partinë Demokratike përpara se të përfundonin si pjesë e qeverisë së Draghit. Dhjetra deputetë nga Pesë Yjet e braktisën Conten kur ai kundërshtoi dërgimin e armëve në Ukrainë.
Nën udhëheqjen e tij, politikat e tyre kanë lëvizur në të majtë. Politika kryesore e Pesë Yjeve katër vjet më parë ishin të ardhurat për të varfërit. Conte tani mbështet një pagë minimale prej 9 €, dëshiron të heqë një taksë rajonale të biznesit dhe ta bëjë më të lehtë për fëmijët e emigrantëve marrjen e shtetësisë.
Idetë e Pesë Yjeve nuk janë shumë të ndryshme nga ajo e qendrës së majtë dhe dy partitë kryesore të qendrës kanë paralajmëruar votuesit se Conte mund të rregullojë dallimet e tij me Enrico Lettën.
Centristët
Matteo Renzi i Italia Viva dhe Carlo Calenda i Azione kanë bashkuar forcat, duke synuar të tërheqin vota si nga e djathta ashtu edhe nga e majta për të krijuar një aleancë “poli i tretë”.
Nëse ata sigurojnë më shumë se 10% të votave, mendohet se mund të fitojnë mbi partitë e tjera dhe të shmangin një qeveri të udhëhequr nga Meloni. I takon presidentit Sergio Mattarella që të emërojë kryeministrin e ardhshëm, por ai ka të ngjarë të zgjedhë koalicionin fitues.
Preferenca e qendrës do të ishte vazhdimi i politikave pro-evropiane të qeverisë së mëparshme të Draghit dhe madje bindja e tij të rikthehej si kryeministër, megjithëse ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane duket jo entuziast.
Ekipi i tyre përfshin dy ish-ministra të Forza Italia, Mariastella Gelmini dhe Mara Carfagna, të cilët u larguan nga partia e Berlusconit pas rrëzimit të qeverisë së Draghit.
Ashtu si qendra e djathtë, ata janë të prirur të heqin ndalimin për energjinë bërthamore dhe si qendra e majtë, ata duan të importojnë më shumë gaz natyror të lëngshëm.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC/Përshtati në shqip Hashtag.al