Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për marrëveshjen serbo-ruse në Nju Jork: Kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor


Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Marrëveshje të cilën kryetari i PD-së Sali Berisha e konsideron një kërcënim të ri për Ballkanin Perëndimor.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se “Kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe presidenti i saj Vuçiç është një Putin i vogël në Rajonin tonë.”

Po ashtu sipas ish-kryeministrit, kjo marrëveshje provon gjithashtu se kryeministri Edi Rama po punon me përkushtim për hegjemoninë ruso – serbe dhe destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve.

Ky reagim vjen pasi të premten në Nju Jork, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, së bashku me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në politikën e jashtme.

Kjo në një kohë kur shumica e delegacioneve perëndimore e shmangën kryediplomatin rus për shkak të luftës në Ukrainë.

KOMENTI I BERISHËS

“Marrëveshja Serbo-Ruse në Neë York, një kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor!

Të dashur miq, ministri i jashtëm i Putin, Sergei Lavrov pasi dështoi në udhëtimin e tij drejt Beogradit në fillim të qershorit të këtij viti, vizitë në të cilën, siç deklaroi vetë, do të shprehte mbështetjen për Ballkanin e Hapur, u takua dy ditë më parë në Selinë e OKB dhe firmosi me ministrin e jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviç, Marrëveshjen për Bashkëpunimin në Politikën e Jashtme midis Moskës dhe Beogradit.

Kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe presidenti i saj Vuçiç është një Putin i vogël në Rajonin tonë.

Marrëveshja e Beogradit me Moskën pas agresionit rus në zemër të Europës ndaj një vendi të lirë, Ukrainës, fakton se sa iluzive janë përpjekjet për të shkëputur Putinin e vogël të Serbisë nga Putini i Madh i Rusisë.

Duke dënuar me forcë këtë si një kërcënim për paqen në rajonin tonë, shtoj se marrëveshja për bashkëpunim në politikën e jashtme midis Moskës dhe Beogradit provon gjithashtu se Edi Rama, ky vasal i Vuçiçit me mbështetjen e Ballkanit të Hapur po punon me përkushtim për hegjemoninë ruso – serbe dhe destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve.”