Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë zhvilluar një formë të ‘herpes simplex’ që mund të luftojë kancerin në pacientët rezistent ndaj trajtimit, sipas gjetjeve të paraqitura në Kongresin e Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore në fillim të këtij viti.
Virusi injektohet në tumor, ku shumëzohet dhe shpërthen qelizat kancerogjene nga brenda duke nxitur përgjigjen imune të trupit.
I quajtur RP2, virusi i modifikuar i herpesit bllokon një proteinë që pengon përgjigjen imune dhe ‘ndez’ gjenet që shkaktojnë një reaksion imunitar kundër kancerit.
Efektet anësore ishin të lehta, pretenduan studiuesit, me më të zakonshmet të dridhura, lodhje dhe temperaturë. Në një provë me 39 pacientë me kancer të lëkurës, ezofagut, kokës dhe qafës dhe kancere të tjera që nuk kishin arritur t’i përgjigjeshin llojeve të tjera të trajtimit, një e katërta pa një përgjigje pozitive: tumoret e tyre ndaluan së rrituri, u tkurrën dhe në një rast u zhdukën fare. Ai pacient, i cili kishte një tumor në gjendrën e pështymës që nga viti 2017, ka qenë pa kancer prej dy vjetësh tashmë.
“Studimi ynë tregon se një virus i modifikuar gjenetikisht, vrasës i kancerit, mund të japë një goditje kundër tumoreve, duke shkatërruar drejtpërdrejt qelizat e kancerit nga brenda, ndërsa gjithashtu zgjon sistemin imunitar kundër tyre.” – tha udhëheqësi i studimit Kevin Harrington për Pharma Times.
Ai shpjegoi se ishte e rrallë të merrej një rezultat kaq i dukshëm pozitiv nga provat klinike të Fazës 1, të cilat kryhen për të vlerësuar sigurinë e një trajtimi dhe jo efektivitetin e tij. Studimi u sponsorizua nga Replimune, prodhuesi i barit nivolumab, i cili u përdor së bashku me virusin RP2 në 30 nga pjesëmarrësit e provës. Shtatë nga 30 marrësit e nivolumab plus RP2 përfituan nga trajtimi dhe gjashtë prej tyre ruajtën përmirësimin e tyre gjatë një viti më vonë.
Shkencëtarët në Institutin për Kërkimin e Kancerit në Londër nuk janë të parët që zbulojnë potencialin e viruseve herpes për të luftuar kancerin. Një punim i shkurtit i botuar në revistën Kërkime Klinike të Kancerit tregoi se një ‘virus eksperimental herpes simplex që lufton kancerin i quajtur G207’ ishte efektiv në luftimin e glioblastomës së kancerit të trurit duke sulmuar dhe vrarë qelizat e tumorit.