Vendosni fjalën kyçe....

Italianët zgjedhin sot qeverinë e re, Evropa “mban frymën” për ngjitjen në pushtet të ekstremit të djathtë


Sot Italia zgjedh qeverinë e re në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe jo vetëm sytë e evropianëve por të gjithë botës janë përqendruar në këto zgjedhje të cilat vijnë në mes të një krize ndërkombëtare të paprecedentë.

Siç bëjnë me dije mediet italiane, votimet kanë nisur prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm.

Pothuajse 51 milionë qytetarë janë thirrur në votime: mbi 46 milionë në Itali dhe pjesa tjetër jashtë vendit. Italianët jashtë tashmë e kanë shprehur preferencën e tyre. Procesi i votimit do të përfundojë në orën 23:00. Në Siçili, votuesit do të votojnë edhe për rinovimin e Asamblesë Rajonale.

Qyteti që krenohet me numrin më të madh të votuesve është Roma: rreth 2 milionë, komuna më e vogël është Rocca de Giorgi, në provincën e Pavias, me 25 votues. Sa i përket Rajoneve, Lombardia është kryesori me mbi 7 milionë votues.

Por çfarë thonë sondazhet? Nëse ato janë të sakta, italianët do të zgjedhin qeverinë më të djathtë të vendit të tyre që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Aktorët kryesorë

Giorgia Meloni, 45 vjeç, ish-ministre e Rinisë në 2008-ën, i ka dhënë vitalitet partisë së saj‘Fratelli d’Italia’, e cila ka rrënjë post-fashiste dhe pritet që të marrë 25 për qind të votave, krahasuar me 4 për qind që kishte marrë në zgjedhjet e fundit në vitin 2018. E mbështetur dhe nga dy parti të tjera, Lidhja dhe Forza Italia, sondazhet sugjerojnë se ajo po shkon drejt një koalicioni të shumicës në dy dhomat e parlamentit të Italisë.

Matteo Salvini, 49 vjeç, një ish-ministër i Brendshëm, i cili mban një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit, por që ka bërë një sërë gabimesh politike gjatë tre vjetëve të fundit dhe është eklipsuar nga Meloni.

Silvio Berlusconi, 85 vjeç, një ish-kryeministër që ka arritur të mposhtë shëndetin e lig dhe skandalet e shumta duke mbetur një lojtar kryesor në aleancën e djathtë, edhe pse tashmë Forza Italia e tij është partneri më i vogël mes tri partive kryesore të saj.

Enrico Letta, 56 vjeç. Kreu i Partisë Demokratike dhe një tjetër ish-kryeministër. Dështimi i tij për të ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm të partive të qendrës së majtë bëri që ai të përballej me një disfatë politike.

Giuseppe Conte, 58 vjeç, udhëheqës i Lëvizjes 5-Yjet. Si kryeministër gjatë periudhës 2018-21, ai shkaktoi zemërim kur partia e tij tërhoqi në korrik mbështetjen ndaj Qeverisë së Draghit, duke nxitur përçarje që çuan në zgjedhje të parakohshme.

Matteo Renzi i ‘ItaliaViva’ dhe Carlo Calenda i ‘Azione’ kanë bashkuar forcat, duke synuar të tërheqin vota si nga e djathta ashtu edhe nga e majta për të krijuar një aleancë “poli i tretë”. Ky bllok i ri u formua pasi koalicioni fatkeq i Calendës me qendrën e majtë u rrëzua në gusht, pasi zgjati vetëm pesë ditë. Të dy kandidatët aktualisht janë duke qëndruar në një platformë ekonomikisht liberale dhe pro-evropiane që synon të rigjallërojë dhe dixhitalizojë biznesin italian.

Nuk mungojnë përçarjet brenda aleancave të ndryshme për Evropën dhe luftën në Ukrainë. Giorgia Meloni padyshim mori anën kundër Putinit dhe për mbështetjen, duke përfshirë mbështetjen ushtarake, për Ukrainën. Qëndrimet e Matteo Salvinit dhe Silvio Berlusconit janë më të paqarta, më të ndjeshme ndaj arsyeve të Rusisë.

Fratelli d’Italia dëshiron të ndryshojë mënyrën e të qenit në Evropë. “Udhëtimi i lirë ka mbaruar.”- tha Meloni dhe po pretendon një prag më të lartë në mbrojtjen e interesit kombëtar.