Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut lëshon një raketë balistike në det, Jugu e sheh si “provokim” para vizitës së Kamala Harris


Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike në brigjet e saj lindore. Të paktën sipas raporteve që vijnë nga Koreja e Jugut.

Ky është testi i parë që dihet që nga qershori dhe vjen pasi një aeroplanmbajtëse amerikane mbërriti në Korenë e Jugut, për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta të dy marinave dhe përpara një vizite të planifikuar nga zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris.

Siç shkruan BBC, Seuli tha se lëshimi ishte një “akt provokimi i rëndë”.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se zbuloi një raketë me rreze të shkurtër të lëshuar pak para orës 07:00 të mëngjesit afër qytetit të Taechon, më shumë se 100 km në veri të Penianit. Raketa thuhet se fluturoi rreth 600 km në një lartësi prej 60 km.

Roja bregdetare e Japonisë gjithashtu e konfirmoi këtë raport, duke paralajmëruar anijet që të “jenë vigjilente”. Ministri i Mbrojtjes i Tokios, Yasukazu Hamada, tha se raketa arriti një lartësi maksimale prej rreth 50 km, duke rënë në ujërat jashtë bregut lindor të Koresë së Veriut dhe jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

“Është mënyra e Koresë së Veriut për të treguar kundërshtimin e aleancës (SHBA-ve).”– tha për AFP analisti Soo Kim.

Anija amerikane me energji bërthamore USS Ronald Reagan u ankorua në qytetin port jugor të Busanit të premten, për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta në brigjet lindore të Koresë së Jugut. Stërvitjet janë për “hir të paqes dhe stabilitetit në gadishullin Korean”, sipas marinës së Koresë së Jugut.

Zonja Harris do të vizitojë Korenë e Jugut në ditët në vijim si pjesë e një udhëtimi në rajon, ku do marrë pjëse edhe në funeralin e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

Tensionet në gadishullin Korean janë rritur vitin e kaluar, me Penianin që ka lëshuar një numër raketash balistike.