Vendosni fjalën kyçe....

Meta për takimin me Kim: Ne nuk bëjmë zgjedhje mes Berishës dhe SHBA-ve


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u pyet nga gazetarët për takimin që pati disa ditë më parë me ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Lidhur me këtë takim, Meta tha se pati një bisedë të hapur, konstruktive dhe bashkëpunuese me ambasadoren.

“Mund t’ju them se marrëdhëniet e mia me SHBA gjithmonë kanë qenë të shkëlqyera, sidomos në drejtim të forcimit të partnerit tonë strategjik dhe të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat… Përshpejtimit të procesit të integrimit në BE, që është në interes të SHBA-ve. Kemi pasur një bisedë shumë të hapur, konstruktive, bashkëpunuese.”- tha ai.

Meta u pyet gjithashtu nëse është vënë përpara dy zgjedhjeve mes SHBA-ve dhe aleatit të tij Sali Berishës si dhe cilat kanë qenë mesazhet e ambasadores.

“Unë s’mund të flas se cilat ishin mesazhet e ambasadores, ata flasin vetë kur kanë diçka për të thënë. Unë mund t’iu them juve se çfarë i thashë ambasadores për këtë çështje. Unë thashë mendimin tim që kam për çështjen e shpalljes ‘non grata’ të Berishës. I shpreha dhe bindjen time se kjo është vepër e Bashës dhe Ramës. I thashë që të thotë në Uashington, që të paktën unë personalisht e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi që as nuk kam qenë as nuk jam dakord. Por pa një vendim të tillë do të kishim Lulzim Bashën ende kryetar të PD-së. Kjo nuk është më një sekret.

Ne nuk bëjmë zgjedhje mes zotit Berisha dhe Amerikës. Ne kemi programin tonë i cili është i pavarur. Ne respektojmë vendimet që marrin anëtarët e PD-së apo të çdo partie tjetër.”- tha Meta.