Vendosni fjalën kyçe....

Ministri belg i Drejtësisë merret në mbrojtje, një makinë plot me shishe benzine dhe pushkë iu gjet pranë shtëpisë, tre të arrestuar


Ministri belg i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne është vënë nën mbrojtje të shtuar policore, pas kërcënimeve ndaj tij.

Sipas të përditshmes flamande Het Laatste Nieuws, të paktën një pushkë dhe shishe të mbushura me benzinë ​​u zbuluan brenda një automjeti me targa holandeze, pranë shtëpisë së ministrit.

Zyra e prokurorit njoftoi të shtunën se tre të dyshuar janë arrestuar në Holandë pas një “kërcënimi” ndaj zyrtarit.

“Gjatë natës nga e premtja në të shtunë tre persona janë privuar nga liria në Holandë. Prokuroria federale kërkon transferimin e tyre në Belgjikë.”– saktësohet në njoftim, citojnë mediet belge.

Burrat janë të gjithë shtetas holandezë, të moshës 20, 29 dhe 48 vjeç, sipas zyrtarëve.

Kërcënimet ndaj ministrit dyshohet se vijnë nga bota e krimit të organizuar.

Ministri ka reaguar në Twitter duke thënë se është i sigurt: “Unë dhe familja ime jemi të sigurt. Lufta jonë kundër krimit të organizuar vazhdon. Me më shumë fuqi punëtore dhe burime se kurrë. Ne kurrë nuk do t’i përkulemi dhunës.”

Për shkak të këtyre zhvillimeve Van Quickenborne do të duhet të heqë dorë nga disa evente në të cilat do të merrte pjesë në ditët në vijim.

Kryeministri Alexander De Croo ka reaguar duke thënë se kërcënimet ndaj ministrit të Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, janë “krejtësisht të papranueshme”.

Ai shtoi:  “Megjithatë, le të jemi të qartë: nuk do ta lejojmë veten të trembemi nga askush. Puna vazhdon.”

Kryeministri shtoi se kishte kontaktuar me ministrin e tij të Drejtësisë dhe falënderoi shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë belge dhe holandeze për bashkëpunimin e tyre.